Macron i prerë: Personat fajtorë për antisem*tizëm të mos kenë të drejtë për poste publike

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se qeveria dhe Parlamenti do të punojnë për të ashpërsuar kuadrin penal ndaj akteve antisemitike, raciste dhe diskriminuese, duke theksuar se politikanët duhet të jenë “garantë të Republikës”.

Macron u shpreh gjithashtu pro heqjes së të drejtës për t’u zgjedhur në poste publike për personat që shpallen fajtorë për veprime apo deklarata antisemitike, raciste apo me përmbajtje urrejtjeje.

“Shumë shpesh, dënimet e dhëna ndaj autorëve të veprave dhe krimeve antisemitike duken qesharake”, tha presidenti francez gjatë një ceremonie përkujtimore në nder të Ilan Halimi, një i ri hebre që u rrëmbye dhe u torturua për vdekje në vitin 2006 në Francë.

“Qeveria dhe Parlamenti do të punojnë për forcimin e penalizimit të akteve antisemitike dhe raciste”, shtoi Macron, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi masat konkrete që pritet të ndërmerren.

Presidenti francez dënoi atë që e quajti “antisemitizëm islamist, shkaku kryesor i pogromit të 7 tetorit” në Izrael, si dhe “antisemitizmin e ekstremit të majtë”, i cili sipas tij konkurron me atë të ekstremit të djathtë dhe me klishetë e saj për pushtetin dhe pasurinë.

Ai përmendi gjithashtu “antisemitizmin që fshihet pas maskës së antisionizmit për të fituar terren në heshtje”.

Deklaratat e Macron vijnë në një klimë shqetësimi në rritje për shtimin e incidenteve antisemitike dhe gjuhës së urrejtjes në Evropë.