MAKINA “KLANDESTINE” NË RUSI! Automjetet hyjnë përmes kanaleve paralele nga Kina! Regjistrohen si të përdorura, por shiten më pas si të reja
Mijëra makina perëndimore po hyjnë në Rusi përmes Kinës nëpërmjet rrugëve jozyrtare duke u regjistrua si të përdorura për të anashkaluar sanksionet dhe kufizimet e prodhuesve. Pavarësisht ndalimeve tregtia përmes kanaleve paralele është kthyer në mënyrën kryesore për furnizimin e tregut rus me marka të huaja.
Mijëra makina të markave perëndimore dhe aziatike po eksportohen nga Kina drejt Rusisë përmes kanaleve jozyrtare, duke anashkaluar sanksionet e vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Reuters shkruan tregtarët po ndihmojnë distributorët rusë të sigurojnë automjete që nuk duhet të shiten atje.
Shumë prej tyre prodhohen në Kinë nga marka ndërkombëtare si Toyota, Mazda, BMW, Mercedes-Benz dhe Volksëagen, ndërsa të tjera kalojnë përmes Kinës pasi prodhohen në Evropë ose vende të tjera.
Në rritje janë makinat zero kilometra të cilat regjistrohen fillimisht si të shitura në Kinë dhe më pas ricilësohen si të përdorura për t’u eksportuar, duke shmangur nevojën për miratim nga prodhuesit.
Kjo praktikë lidhet edhe me tregun konkurrues dhe të subvencionuar të makinave në Kinë, ku prodhuesit dhe tregtarët përpiqen të rrisin shifrat e shitjeve dhe të eksportojnë tepricat.
Në Rusi ato shiten me çmime të ngjashme me makinat e reja, pavarësisht se teknikisht konsiderohen të përdorura.
Sipas Autostat, në vitin 2025 në Rusi u shitën rreth 130 mijë automjete të prodhuara nga kompani nga vende që kanë vendosur sanksione.
Që nga viti 2022, mbi 700 mijë makina kanë qarkulluar në treg.
Prodhuesit si Mercedes-Benz, BMW dhe Toyota deklarojnë se kanë ndaluar eksportet drejt Rusisë dhe po përpiqen të parandalojnë dërgesat e paautorizuara, por pranojnë se është e vështirë të kontrollohen plotësisht kanalet paralele.
Ndërkohë, pavarësisht rënies së fortë të shitjeve zyrtare që nga viti 2021, tregtia përmes Kinës po bëhet kanali kryesor për furnizimin e tregut rus me marka të huaja, përfshirë SUV luksoze gjermane që mbeten shumë të kërkuara nga elita ruse.

