KOMPENSIMI PËR FËMIJËT NË SHKOLLË/ Tatimet hapin aplikimet, procedura dhe dokumentet që dorëzohen

Tatimet kanë hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve, për të gjithë ata që plotësojnë formularin DIVA. Materiali në vijim u njeh me procedurën dhe dokumentet që kërkohen.

Administrata Tatimore ka nisur hapjen e aplikimeve për kompensimin e shpenzimeve për arsimin për fëmijët nën 18 vjeç.

Këtë përfitim mund ta pretendojnë të gjithë ata individë që plotësuan Deklaratën Individuale të të Ardhurave DIVA dhe rezultuan me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë në vit.

Aplikimi kryhet online përmes sistemit e-Filing në portalin e shërbimeve qeveritare e-Albania.

Bashkëngjitur kërkesës, duhet të ngarkoni certifikatën familjare, të dhënat e llogarisë bankare dhe dokumentacionin justifikues që provon shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve.

Kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët, faturat për fëmijët, dokumentet për pagesën e gjuhëve të huaja etj.

Nëse kërkesa u miratohet, vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi dhe ndryshon në varësi të të ardhurave, numrit të fëmijëve dhe transferohet direkt në llogarinë bankare të deklaruar nga qytetari.

Sistemi për plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, DIVA, u hap më 22 janar, ndërsa afati për plotësimin është deri më 31 mars. Afati i aplikimit për kompensimin është deri në 3 muaj pas plotësimit të deklaratës.