Enri Jahaj: Aksioni për tendat i çoi në prag falimenti, por ja ç’po ndodh me baret e restorantet në vend

Qeveria që prej muajit korrik të vitit të kaluar ndërmori një aksion të paprecedentë për lirimin e hapësirave publike, një aksion që në shënjestër kishte baret dhe restorantet dhe që tronditi bizneset.

Për të kuptuar më shumë mbi pasojat ekonomike që solli ky aksion, i ftuar në një intervistë në “Ora News” ishte përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj.

“Ky aksion pati një ndikim absolutisht në fillimet e veta të tij, pasi ne aksionet i kemi në fillim, domethënë i kemi me atë kurbën që fillojnë me forcë të madhe dhe pastaj zbehen dhe zbehen dhe zbehen.

Dhe në fillimet e veta të aksionit absolutisht që pati ndikim edhe te shifrat në punësim madje. Ndërsa tani, le ta themi që ndikimi është zbehur pasi është kuptuar dhe është zbatuar aty- këtu, tek vendet ku është zbatuar”, u shpreh Enri Jahaj.

Dhe nëse nuk do të ketë ndoshta një strategji të qartë siç edhe u premtua, rrezikojnë falimentim këto biznese?

Enri Jahaj: Patjetër që po, pasi këtu problemi qëndron që në të gjithë botën ka tenda, ka zënie trotuari, ka zënie hapësirash, por mbi bazën e ca ligjeve dhe mbi bazën e ca manualeve të mirëpërcaktuara. Te ne nuk kemi të tilla, i presim. Ndërkohë që nuk dimë as të kopjojmë botën, pasi bota është shumë e thjeshtë, i ka gati. Mund të shohim Italinë, mund të shohim Greqinë, ku tendat janë shumë të përhapura, dhe të kuptojmë se si i kanë toleruar apo si i kanë vënë përcaktimin që këto tendat duhet të kenë. Dhe çfarë impakti duhet të kenë nëpër trotuare apo në ambientet e përbashkëta me këmbësorët. Në momentin që vijnë këto rregulla, nuk besoj që duhet të ketë çudira të mëdha. Nuk e kuptoj pse duhet të presim kaq gjatë që të kemi një vendosje të qartë të këtyre rregullave. Sepse edhe të heqim ca tenda dhe të vendosim ca çadra, nuk më duket se kemi bërë ndonjë zgjidhje. Dhe nuk më duket që është zgjidhje, pse aty nesër do vendosen ca karrige e tavolina dhe këmbësori njësoj nuk do qarkullojë. Kështu që nuk besoj që është kjo zgjidhja që i gjithë komuniteti do të donte. Unë mendoj që zgjidhja është gjithëpërfshirëse, që do të thotë edhe të ketë hapësirë dhe për këmbësorin, të ketë hapësirë edhe për invalidin, por të ketë hapësirë edhe, edhe mundësi punësimi dhe pune, biznesi, edhe për biznesin. Kjo do ishte besoj unë zgjidhja më optimale.

Deri më sot a ka shifër biznesesh që mund të jenë mbyllur për shkak të këtij aksioni?

Enri Jahaj: Problemi te ne është që shifrat janë gjithmonë shifra relative, sepse tek ne në një moment mbyllen, në momentin tjetër hapet dikush tjetër dhe nuk ka një referencë të caktuar që ky që u mbyll, u mbyll për shkak të tendës. Ky personi tjetër që e hapi, e hapi sepse do hapim një biznes të ri, apo është dikush tjetër që e mbylli në një vend dhe po e hap në një vend të ri. Dhe kjo këtu është çikë abuzive, kështu që do do do spekulloja në qoftë se do jepja numra apo shifra.

BISEDA E PLOTË