“Lufta nuk fitohet me më të dobëtin”/ Shuperka: Aksioni për hapësirat publike dështoi, ligji anti-duhan thjesht një letër pa vlerë

Aksioni i qeverisë për lirimin e hapësirave publike, i ndërmarrë gjatë verës së kaluar, duket se ka krijuar një efekt anësor negativ: zbatimi i ligjit antiduhan po dështon masivisht.

Gjashtë muaj pas heqjes së tendave dhe strukturave metalike nga baret dhe restorantet, shumë biznese kanë gjetur mënyra për të anashkaluar rregullat, duke krijuar ambiente të mbyllura ku konsumimi i duhanit bëhet pa asnjë pengesë.

Sipas specialistit të shëndetit publik, Roland Shuperka, heqja e tendave fillimisht u pa si një masë favorizuese për zbatimin e ligjit, pasi eliminoi zonat gri gjysmë të hapura dhe i dha organeve ligjzbatuese një mundësi më të qartë për të kontrolluar ndalimin e duhanit në ambiente të mbyllura.

Kjo situatë, sipas tij, funksionoi për një periudhë të shkurtër.

Me ardhjen e stinës së ftohtë, bizneset kanë filluar të improvizojnë me mbulesa plasmasi dhe struktura të tjera, duke krijuar "xhepa" ku ligji thyhet hapur.

“Në ato vende ku u krijuan këto ambiente, u krijuan xhepa në lokale kryesore dhe të mëdha që thyhet zbatimi i ligjit anti-duhan”, shprehet Shuperka, duke theksuar se ky është një problem që kërkon vëmendjen e menjëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë.

Fajtori kryesor për këtë situatë, sipas specialistit, është Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor. Ai akuzon se ky institucion nuk po e zbaton siç duhet ligjin dhe se është përgjegjësi direkt i tij dhe i Ministrisë së Shëndetësisë.

Shuperka denoncon se ndërkohë që raportohen mijëra kontrolle, numri i gjobave është tejet i ulët, shpesh duke penalizuar të njëjtat subjekte. “Lufta nuk fitohet me më të dobëtin, lufta fitohet me më të fortin”, argumenton ai.

Zgjidhja, sipas tij, qëndron tek vullneti i fortë politik. Ai bën thirrje që, ashtu siç u veprua me vendosmëri për heqjen e fasadave, edhe për zbatimin e ligjit antiduhan të ketë një qëndrim të prerë nga kryeministri dhe autoritetet përkatëse, duke marrë masa drastike dhe korrekte.

Shuperka sugjeron se përgjegjësia duhet të jetë individuale për inspektorët, ku matja e performancës së tyre të mos bazohet në numrin e kontrolleve, por në faktin nëse në zonën e tyre pihet apo jo duhan.

Nëse ligji shkelet, atëherë inspektori duhet të mbajë përgjegjësi, deri në largim nga puna.

Ndërsa fasadat e qyteteve mund të jenë pastruar, shëndeti publik mbetet i kërcënuar nga një ligj që, gati 20 vite pas miratimit, ende konsiderohet i pazbatueshëm në praktikë.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Çfarë ka ndodhur me duhanpirësit?

Roland Shuperka: Ishte një favorizim kjo heqja e këtyre tendave. Po e shoh vetëm në prizmin e zbatimit të ligjit antiduhan, për ndalimin e pirjes së duhanit në ambientet e mbyllura.

Dhe kjo i dha një mundësi, përparësi, edhe inspektoriatit, organeve ligjzbatuese, që ta ndiqnin në vazhdimësi ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike.

Realisht funksionoi për një farë kohe. Ndërsa tani po funksionon tjetra, që në këtë klimën e ftohtë, disa po vendosin dhe plasmase dhe ndonjë material tjetër, po krijojnë gjoja ambiente të tilla të mbyllura, por në përfundim të gjitha janë të shkeljes së zbatimit të ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.

Dhe në ato vende ku u krijuan këto ambiente, u krijuan xhepa në lokale kryesore dhe të mëdha që thyhet zbatimi i ligjit antiduhan. Ky është një problem që duhet të jetë në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Shëndetësisë, të organeve ligjzbatuese dhe e vërteta është që zbatimi i ligjit antiduhan do vullnet politik.

Të gjithë duhet të jenë të barabartë para zbatimit të ligjit. Jo në një ambient të lejohet nga inspektorët dhe në një ambient tjetër të ndëshkohet. Në këtë drejtim ne çalojmë, edhe pse u bënë pothuajse 20 vite nga nga ligji antiduhan, ne çalojmë në zbatimin e ligjit.

Domethënë, në qoftë se ky ligj u bë për të mbrojtur shëndetin publik, ne kujtojmë që po ja hedhim vetes tonë, botës, shëndetin publik dhe nuk po e zbatojmë ligjin antiduhan.

Pra nga një anë ne rregulluam të gjithë fasadën e qytetit me heqjen e tendave, me lirimin e hapësirave publike, por nga ana tjetër me sa duket kemi çaluar në zbatimin e ligjit të duhanit nga këto biznese, cila është zgjidhja?

Roland Shuperka: Mënyra është Inspektoriati i Shëndetit Publik. Vetëm inspektoriati i shëndetit nuk e zbaton ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura publike. Askush tjetër. Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektoriati i Shëndetit. Pra, duhet një vullnet politik. Ashtu siç u prishën këto fasadat dhe gjithë gjërat e tjera, atëherë duhet të shprehet kryeministri i vendit. Që javën tjetër a nesër a një ditë tjetër dhe ministrja e Shëndetësisë, nuk do lejohet më dhe do merren masa drastike në mënyrë të ndershme dhe korrekte për zbatimin e këtij ligji. Mendoj që vetë inspektorët kanë bizneset e tyre.

Kemi ne të dhëna se ëh është konsumuar duhani në ambientet e brendshme? Të paktën për këto muaj që ne e zhvilluam atë aksion.

Roland Shuperka: Në qoftë se do të verifikoni ose do të merrni të dhëna pranë Inspektoratit të Shëndetit, sa janë penalizimet, sa janë kontrollet. Janë bërë kaq mijë kontrolle. Po. Pra, kaq shumë kontrolle, sa nuk diskutohet. Kur vete puna te penalizimet apo ndonjë masë tjetër, janë tre ose katër në tre muaj.

Dhe janë të njëjtët persona që janë gjobitur në mënyrë të vazhdueshme. Pra janë njerëzit më të dobët, nuk fitohet lufta me më të dobëtin. Lufta fitohet me më të fortin. Pra, ti penalizo lokalet ku thyhet ligji në mënyrë të vazhdueshme dhe çdo gjë do të shkojë në rregull.

Tjetra, nuk matet puna e inspektoratit, bie fjala sa procesverbale ke bërë, sa procesverbale ke lënë. Në rast se unë jam inspektor i një zone të caktuar, që kam një juridiksion të caktuar, që jam inspektor i zonës me një ose me dy kolegë të tjerë, puna ime duhet të matet në këtë drejtim, nuk kam nevojë sa kontrolle kam bërë. Sa pihet duhan në atë zonë ku unë mbuloj. Dhe në rast se në zonën që mbuloj pihet duhan, nuk ka nevojë, ke shkuar, nuk ke shkuar në kontrolle, nuk ke shkuar në procesverbale. Atëherë, largoje nga puna, jepi masë personit.

Sepse në rast se unë si inspektor do të dua dhe do jem i interesuar që do mbaj qëndrim ndaj meje, unë në zonën që do mbuloj do të jem korrekt dhe do vë para përgjegjësisë çdo person që thyen ligjin, në qoftë se unë do jem përgjegjës.