Rama publikon PAMJET: Qendra shëndetësore në Iballë të Pukës me mjedise të rikonstruktuara, shërbime të plota për banorët

Një tjetër investim në infrastrukturën e kujdesit shëndetësor është finalizuar në zonën e Iballës, në bashkinë e Pukës, për t’u vënë në shërbim të komunitetit dhe zonave përreth.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje kjo qendër shëndetësore e rilindur nga e para në Iballë të Pukës.

Rama tha se kjo qendër do të jetë  në shërbim të plotë shëndetësor për banorët e zonës.

Me mjedise bashkëkohore dhe funksionale, Rama veçoi se ky investim përmirëson edhe kushtet e punës për personelin shëndetësor dhe rrit cilësinë e shërbimit për pacientët.

Falë rikonstruksionit, qendra shëndetësore ka hapësira të reja për konsultat mjekësore, shërbimet infermierore, duke garantuar efikasitet më të madh në ofrimin e shërbimeve.

Banorët e Iballës dhe zonave përreth do të kenë mundësi të marrin shërbime shëndetësore më pranë vendbanimit të tyre. Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e sistemit të kujdesit parësor dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale.