Japonia konfirmon në pushtet kryeministren e parë grua, LDP me shumicë të cilësuar
Partia në pushtet e Japonisë, Partia Liberale Demokratike (LDP), e udhëhequr nga kryeministrja Sanae Takaichi, ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluara këtë të diel.
Sipas transmetuesit publik japonez, LDP në koalicion me partinë aleate Ishin ka siguruar mbi dy të tretat e vendeve në Dhomën e Ulët të Parlamentit, konkretisht deri në 328 nga 465 mandate gjithsej.
Kjo shumicë e cilësuar i jep mazhorancës mundësinë të anashkalojë Dhomën e Lartë në raste të caktuara, ku nuk zotëron shumicën.
Takaichi, kryeministrja e parë grua në historinë e Japonisë, shpalli zgjedhje të parakohshme vetëm katër muaj pasi mori drejtimin e LDP-së, duke e lidhur fatin e saj politik me rezultatin elektoral.
Ajo kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse nuk do të siguronte shumicën parlamentare.
Fitorja e thellë i atribuohet në masë të madhe popullaritetit të saj personal, me nivele miratimi që raportohen mbi 70%.
Rezultati shënon një kthesë të fortë krahasuar me periudhën e paraardhësve të saj, kur partia humbi shumicën për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe kritikave për rritjen e shpenzimeve publike.
Në vitin 2024, LDP kishte humbur kontrollin në të dyja dhomat e Parlamentit, ndërsa aleanca e gjatë me partinë Komeito u shpërbë. Kjo krijoi një opozitë më të konsoliduar, me Partinë Kushtetuese Demokratike si forcë kryesore kundërshtare.

