DANIMARKA “BOJKOTON” SHBA-TË/ Tensionet rrisin përdorimin e aplikacioneve kundër mallrave amerikane

Tensionet diplomatike mes SHBA-ve dhe Danimarkës, të shkaktuara nga deklaratat e presidentit Donald Trump për Groenlandën, kanë nxitur reagime konkrete në opinionin publik europian. Në Danimarkë dhe vende të tjera, është rritur ndjeshëm interesimi për aplikacione që ndihmojnë konsumatorët të identifikojnë dhe bojkotojnë produktet amerikane dhe duke shfaqur prodhuesit europianë.

Tensionet e fundit mbi Groenlandën, territor gjysmëautonom i Danimarkës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në sjelljen e konsumatorëve në Europë.

Pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për nevojën që SHBA të marrë kontroll mbi ishullin strategjik arktik, në Danimarkë është vërejtur një rritje e ndjeshme e përdorimit të aplikacioneve që synojnë bojkotimin e produkteve amerikane.

Një nga aplikacionet më të përdorura, “Made O’Meter”, regjistroi rreth 30 mijë shkarkime brenda tre ditëve në kulmin e krizës diplomatike në fund të janarit.

Aplikacioni përdor inteligjencën artificiale për të analizuar produktet përmes skanimit dhe për t’u sugjeruar përdoruesve alternativa të prodhuara në Europë. Krijuesi i tij, Ian Rosenfeldt, thekson se aplikacioni u jep konsumatorëve informacion të qartë për të marrë vendime të ndërgjegjshme blerjeje.

Interesi u rrit ndjeshëm pasi Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave ndaj Danimarkës dhe disa vendeve europiane që kundërshtuan idenë e marrjes së Groenlandës.

Edhe pse këto kërcënime u tërhoqën më vonë pas ndërmjetësimit të NATO-s dhe nisjes së bisedimeve për sigurinë në Arktik, reagimi i publikut tashmë ishte i dukshëm. Sipas Rosenfeldt, përdorimi i aplikacionit arriti kulmin me rreth 40 mijë skanime në një ditë të vetme.

Një tjetër aplikacion danez, “NonUSA”, kaloi 100 mijë shkarkime në fillim të shkurtit, duke reflektuar të njëjtën prirje. Megjithatë, ekspertët vënë në dyshim efektin real ekonomik të këtyre bojkotimeve, duke theksuar se produktet amerikane përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të tregut ushqimor danez.