SHBA akuzon Rusinë për manovra të rrezikshme ndaj satelitëve amerikanë

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për shtimin e rreziqeve në hapësirë, duke akuzuar Rusinë dhe Kinën për zhvillimin e kapaciteteve që mund të dëmtojnë satelitët amerikanë.

Paralajmërimi vjen pas një incidenti të regjistruar vitin e kaluar, kur një satelit rus manovroi në afërsi të një sateliti të SHBA-së dhe lëshoi një modul më të vogël në orbitë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, sateliti rus Cosmos 2558 është parë duke ndjekur satelitin amerikan USA 326 që prej vitit 2022, kur u lëshua në hapësirë.

Në qershor të vitit të kaluar, ai lëshoi një objekt më të vogël, i cili nisi të lëvizte edhe më pranë satelitit amerikan.

Ish-drejtoresha për operacione në United States Space Force, DeAnna Burt, deklaroi se ky është rasti i dytë kur vërehet një veprim i tillë nga pala ruse.

Sipas saj, SHBA beson se moduli i lëshuar mund të jetë një mjet i tipit “Kinetic Kill”, i aftë të afrohet me satelitë të tjerë dhe potencialisht t’i dëmtojë apo të kryejë veprime të tjera ndërhyrëse.

Burt, e cila doli në pension në tetor 2025, foli për Radio Evropa e Lirë gjatë një vizite në Pragë, të organizuar nga Instituti Aspen.

Në intervistën e dhënë më 30 janar, ajo theksoi se përveç Rusisë dhe Kinës, edhe Irani dhe Koreja e Veriut po zhvillojnë kapacitete që mund të rrezikojnë infrastrukturën hapësinore.