"Pak mund të krahasohen me Lewyn… dhe unë s'jam një prej tyre" - Përgjigjja epike e Muriqit ndaj Barcelonës
Vedat Muriqi ka tërhequr vëmendjen e gjithë opinionit sportiv në Spanjë, jo vetëm për formën e tij të shkëlqyer, por edhe për një reagim plot klas dhe përulësi ndaj një grafike promovuese të Barcelonës.
Përpara përballjes së së shtunës në LaLiga, klubi katalanas e etiketoi ndeshjen si “Lewy vs Muriqi”, duke vendosur përballë dy sulmuesit kryesorë të skuadrave respektive.
Sulmuesi i Mallorcës reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke cituar postimin ku shfaqej Robert Lewandowski në stërvitje dhe duke shkruar në spanjisht: “Ka pak sulmues që mund të konkurrojnë me Lewyn… dhe unë nuk jam një prej tyre, por faleminderit”. Një përgjigje që u bë virale brenda pak orësh dhe u vlerësua gjerësisht për thjeshtësinë dhe realizmin e reprezentuesit të Kosovës.
Hay pocos delanteros que compitan con Lewy...Y yo no soy uno de ellos ???????? pero gracias ???? https://t.co/USOIudL6Si
— Vedat Muriqi (@MuriqiVedat) February 6, 2026
Megjithatë, shifrat e Muriqit këtë sezon flasin vetë. 31-vjeçari ka shënuar 15 gola në 21 ndeshje në La Liga, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, pas Kylian Mbappésë të Real Madridit me 22 gola. Janari ishte muaji i tij më i mirë, me pesë gola në katër ndeshje, përfshirë një tripletë ndaj Athletic Bilbaos, çka i siguroi çmimin “Lojtari i Muajit” në La Liga për herë të dytë në karrierë.
Edhe muaji shkurt ka nisur në mënyrë perfekte për Muriqin, me një gol dhe një asist në fitoren bindëse 4-1 ndaj Sevillas. Ai ka ditur të ndëshkojë edhe ekipet e mëdha, përfshirë Barcelonën, ndaj së cilës ka shënuar dhe asistuar në barazimin 2-2 në vitin 2023, si dhe ka gjetur rrugën e rrjetës në humbjen 5-1 në vitin 2024.
Trajneri aktual i Barcelonës, Hansi Flick, nuk e ka nënvlerësuar aspak rrezikun që paraqet sulmuesi i Mallorca-s, duke theksuar në konferencë për shtyp se Muriqi po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe se skuadra e tij duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë.
Ndërsa Barcelona kryeson renditjen me 55 pikë dhe synon titullin, Mallorca e vendit të 14-të me 24 pikë mbështetet fort te golat e Muriqit për të qëndruar larg zonës së rënies. Sulmuesi kosovar është tashmë vetëm pesë gola larg rekordit historik të Samuel Eto’o-së me fanellën e Mallorca-s në La Liga, duke konfirmuar se, pavarësisht modestisë së tij, po shkruan një sezon të jashtëzakonshëm.

