Shitblerje e votave gjatë zgjedhjeve në bashkinë e Kurbinit/ GJKKO dënon tre personat përgjegjës (EMRAT)
GJKKO jep vendimin për Gersi Kaçorrin, Besnik Ukën dhe Artur Jahjën, për vepra penale që lidhen me korrupsionin në zgjedhje.
Sipas hetimeve, gjatë fushatës zgjedhore, të tre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe shpërndanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar në mbështetje të një subjekti politik.
Hetimi evidentoi se ata kanë qenë aktivë në terren gjatë fushatës zgjedhore, duke shpërndarë para për të ndikuar në mënyrën e votimit të zgjedhësve.
Gjykimi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Me vendimin nr. 8, datë 5 shkurt 2026, trupi gjykues i përbërë nga Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj i gjeti fajtorë të tre të pandehurit.
Gersi Kaçorri u shpall fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe u dënua me 1 vit burgim, dënim i reduktuar në 8 muaj.
Ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe ai u vendos në provë për 1 vit e 6 muaj, me detyrimin për të qenë në kontakt me shërbimin e provës dhe për të mos kryer vepra të tjera penale.
Gjatë kësaj periudhe i ndalohet shoqërimi me persona të dënuar.
Besnik Uka u shpall fajtor për korrupsion pasiv në zgjedhje në bashkëpunim dhe u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj.
Edhe për të u pezullua dënimi me burgim dhe u vendos masa e provës për 1 vit e 6 muaj, me të njëjtat detyrime dhe ndalime ligjore.
Artur Jahja u shpall fajtor për korrupsion pasiv në zgjedhje në bashkëpunim dhe u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj.
Edhe për të u vendos pezullimi i dënimit dhe masa e provës për 1 vit e 6 muaj.
Gjykata vendosi konfiskimin e aparateve telefonike dhe kartave SIM të sekuestruara gjatë hetimeve për secilin prej të dënuarve, si prova materiale të përdorura në proces.
Shpenzimet proceduriale të hetimit dhe gjykimit u ngarkuan ndaj tre të pandehurve në mënyrë solidare.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi.

