Bashkimi Europian “ngre flamurin e kuq” për KQZ-në/ BE: Depolitizoni bllokimin e Listës Serbe
Bashkimi Europian ka reaguar ndaj moskonfirmimit të rezultateve të Listës Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, duke shprehur shqetësim serioz për situatën e krijuar.
Brukseli kërkon që puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të depolitizohet dhe të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike.
Sipas qëndrimit të BE-së, dështimi i KQZ-së për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe përbën një problem serioz për procesin zgjedhor.
Thirrja për depolitizimin e këtij institucioni lidhet edhe me rekomandimet e Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, ndërsa të gjitha palët ftohen të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Brukseli ka rikujtuar edhe rëndësinë e funksionalizimit të Kuvendit të ri, duke kërkuar që të gjithë deputetët e zgjedhur të marrin mandatin e tyre.
Po ashtu, legjislatura e ardhshme e Kosovës ftohet të përshpejtojë reformat që lidhen me integrimin europian dhe të ratifikojë marrëveshjet e Planit të Rritjes.
Një ditë më parë, vendimi i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ për të mos votuar konfirmimin e nëntë deputetëve të Listës Serbe është kritikuar edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila e ka konsideruar këtë veprim në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për përfaqësim demokratik dhe si një zhvillim që dëmton partneritetin e Prishtinës zyrtare me SHBA-në.
Edhe misioni vëzhgues i OSBE-së e ka cilësuar këtë veprim si cënim të standardeve demokratike.
Ndërkohë, Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa.
Ky institucion ka afat katër ditë nga dorëzimi i kërkesës për të marrë një vendim, i cili më pas mund të apelohet edhe në Gjykatën Supreme. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi hapet rruga për certifikimin zyrtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

