Mbretëria e Bashkuar po mbështet vendet ballkanike për të zhvilluar industritë krijuese si sektorë strategjikë për ekonomitë e tyre

Shqipëria dhe Kosova, me mbështetjen e Këshillit Britanik, po ndihmojnë të rinjtë me ofrimin e praktikave profesionale në fushën e arteve pamore dhe kuratorisë.

Programi i Mbretërisë së Bashkuar, në mbështetje të ekonomive kreative në Ballkan, po udhëhiqet nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, në bashkëpunim me galerinë britanike “Larkin Durey”, Prishtina Biennale dhe Qëndra Kulturore “Tulla, dhe po adreson një boshllëk kyç në rajon, mungesën e rrugëve të strukturuara, nga arsimi drejt praktikës profesionale.

Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, gjatë fjalës së saj në konferencën për lancimin e programit, Fondi i Zhvillimit të Ekonomisë Kreative për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar,  u shpreh se:

“Ky program mbështet industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me potencial transformues, me një fokus të veçantë aftësimin dhe fuqizimin e të rinjve.

E mbështetur prej kohësh nga Mbretëria e Bashkuar, ekonomia krijuese e Kosovës dhe Ballkanit Përëndimor ka zënë vend qëndror në diskutimet e procesit të Berlinit.

Në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor, ky sektor mbart një potencial të jashtëzakonshëm, talente të reja, trashëgimi kulturore dhe ide novative që meritojnë mbështetje dhe hapsirë për t’u zhvilluar”- theksoi gjatë fjalës së saj, Mazelliu.

Mbretëria e Bashkuar po mbështet vendet ballkanike për të

Programin e praktikës profesionale në Kosovë dhe Shqipëri po e udhëheq Besa Zogaj (Gashi), nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, Kosovë. Gjatë fjalës së saj, ajo u ndal në rëndësinë e aftësimit të të rinjve, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron industria kreative .

“Ky program është dizanjuar për të ndihmuar artistët nga Kosova dhe Shqipëria, në mënyrë që të kuptojnë si funksionojnë galeritë komerciale dhe tregu i artit ndërkombëtar në përgjithësi.

Me zhvillimin e industrive krijuese mund të përftojnë ekonomitë e dy vendeve tona, ashtu siç ndodh prej kohësh në ekonomitë e vendeve të zhvilluara, ku referuar raporteve, në vitin 2023, të ardhurat nga tregu i artit në botë llogariteshin në 75 miliardë euro.”

Mbretëria e Bashkuar po mbështet vendet ballkanike për të

Pjesëmarrësit në praktikën profesionale, të industrsë krijuese, që po zhvillohet në Tiranë u shprehën të interesuar për të shkëmbyer informacion dhe përvojë në menaxhimin e galerive komerciale, bashkëpunimeve ndërkombëtare, për të promovuar artin shqiptar në turizëm dhe për të përftuar aftësi në negocim dhe në lidership.

Programi “Fondi i Zhvillimit të Ekonomisë Kreative për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar”, është bërë pjesë e diskutimeve në Procesin e Berlinit dhe për herë të parë Ministrat e Kulturës së Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, ku angazhohen të mbështesin industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me një fokus të veçantë aftësimin dhe punësimin e të rinjve.

Referuar statistikave, industria kirjuese në Mbretërinë e Bashkuar kontribuon me 2.4 milionë vende pune dhe 124 miliard paund të ardhura në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të Anglisë.