Deputetë të PD-së kundër bojkotit të reformave, Zhupa: Duhet të jemi prezentë për qytetarët dhe interesin publik
Ora News mëson se disa deputetë të Partisë Demokratike, përfshirë Bledjon Nallbatin, Xhelal Mziun, Oerd Bylykbashin, Ina Zhupën, Tritan Shehun dhe Arjan Ndojën, janë kundër vendimmarrjes për bojkotin e reformave në Komisionet Parlamentare. Ata kanë deklaruar se duhet të marrin pjesë në komisione për të kontribuar në diskutimet dhe për të përfaqësuar qytetarët.
Ina Zhupa ka theksuar rëndësinë e prezencës në Komisionin e Reformës Territoriale.
"Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre. Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: “Ju nuk ishit”, dhe kështu janë rehat. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave te mia dhe me thone merrni pjese. Ju ftoj dhe te bëni një sondazh do ju dali qe thone merrni pjese . Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, duke bërë propozime konkrete. Ne duhet të jemi shumёdimensionalë: edhe protestat t’i bëjmë, edhe në reforma të jemi prezentë, edhe analizën, edhe zgjedhjet. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale; nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë dhe të braktisim të tjerat", u shpreh ajo.
Mazhoranca e kryesuar nga kryesia pritet të marrë vendimin final për pjesëmarrjen ose bojkotin e deputetëve në Komisionet e Reformës.
