"Pensionistët italianë do braktisin Shqipërinë" - Aliaj: Taksa 15 % mbi të ardhurat mbi 12 mln lekë do prekë ekonominë

Që nga 1 Janari i këtij viti, një ndryshim i rëndësishëm në legjislacionin fiskal shqiptar ka krijuar paqartësi dhe shqetësim tek komuniteti i pensionistëve italianë që jetojnë në Shqipëri.

Heqja e një neni përjashtues dhe futja me detyrim e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave (DIVA) parashikon që çdo individ me të ardhura mbi 12 milionë lekë të vjetra (rreth 12,000 Euro) në vit, të taksohet me 15%.

Ky ndryshim prek drejtpërdrejt pensionistët italianë, të cilët, falë marrëveshjeve bilaterale për shmangien e taksimit të dyfishtë, deri më tani transferonin rezidencën fiskale në Shqipëri për të marrë pensionin bruto, pa taksa.

Beskida Aliaj, eksperte pensionesh në një intervistë për “Ora Neës” shpjegoi se në Itali pensionet taksohen nga 23% deri në 43%, ndërsa në Shqipëri ishin 0%.

Dhe vendosja e taksës 15% e ngushton ndjeshëm diferencën me Italinë (vetëm 8% diferencë me fashën minimale italiane), duke e bërë Shqipërinë jo më të leverdishme.

Sipas Aliajt, kjo mund të çojë në largimin e rreth 3,000 pensionistëve drejt vendeve si Greqia, Tunizia apo rikthimin në Itali.

Përveç dëmit ndaj individëve, ky largim do të dëmtonte ekonominë shqiptare, pasi këta pensionistë konsiderohen 'investitorë' që shpenzojnë të ardhurat e tyre brenda vendit.

Situata është rënduar nga heshtja e institucioneve tatimore shqiptare, të cilat ende nuk kanë nxjerrë aktet nënligjore sqaruese, ndërkohë që çështja ka mbërritur deri në mediat italiane.

“Në mungesë të një neni që ekzistonte më parë, nuk është e qartë nëse pensionet do të taksohen apo jo. Do të futet me detyrim deklarata individuale e të ardhurave vjetore, dhe secili që fiton mbi 12 milion lekë në vit mund të taksohet deri në 15%,” tha Aliaj.

Ajo shtoi se disa pensionistë marrin edhe pensionin e 13-të, gjë që mund të ndikojë në mënyrën e taksimit.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: