ZERO KREDI PËR ÇELJE BIZNESI/ Asnjë hua bankare për nisje biznesi gjatë gjithë vitit 2025

0 kredi për të nisur një biznes të ri gjatë gjithë vitit 2025. Kjo është ajo që tregojnë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë ku raportohet se për gjithë vitin nuk është regjistruar asnjë kredi e re për hapjen e bizneseve, edhe pse bankat kanë dhënë kredi të tjera gjatë vitit.

Pjesa më e madhe e këtyre financimeve ka shkuar tek bizneset që tashmë ekzistojnë.

Kompanitë private kanë marrë mesatarisht mbi 22 miliardë lekë në muaj, ndërsa gushti 2025 shënoi nivelin më të lartë, me afro 31 miliardë lekë të dhëna për blerje pajisjesh, për të mbuluar shpenzime të përditshme të biznesit ose për investime në ndërtesa dhe hapësira pune.

Sipas të dhënave zyrtare, qershori i vitit 2023 shënoi herën e fundit që u dha kredi për nisje biznesi rreth 1 miliardë leke dhe nga ajo kohë deri në nëntor 2025, vlera ka qenë pothuajse zero. Për rreth 2 vite, nuk është dhënë asnjë lek për të mbështetur sipërmarrësit e rinj

Megjithatë, ndërsa bankat nuk kanë dhënë kredi për nisje biznesi, numri i bizneseve të reja të regjistruara ka vazhduar të rritet.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, për vitin 2023 u regjistruan 16,853 biznese të reja, për vitin 2024 numri arriti në 17,500, ndërsa për vitin 2025, 20,765 biznese të reja u regjistruan, me tregtinë me pakicë si sektori më i preferuar për sipërmarrësit e rinj.

Ky kontrast tregon se edhe pse shumë shqiptarë hapin biznese të reja, financimi bankar për të nisur aktivitetin mbetet minimal.

Tregtia me pakicë, sektori ku shumë nga këto biznese të reja investojnë, është pjesa më dinamike, por sipërmarrësit e rinj janë kryesisht vetëfinancuar, duke përdorur kursimet personale sepse kreditë bankare për nisje biznesi pothuajse nuk ekzistojnë

 

Tabele

Çelja e bizneseve te reja ndër vite

2023                                           2024                                        2025 

16,853 biznese të reja   17,500 biznese te reja   20,765 biznese të reja