Tregtarët e Vlorës sërish në protestë: Bashkia po na heq bukën e gojës

Tregtarët e Vlorës dolën sërish sot në protestë para Teatrit “Petro Marko”, kundër vendimit të Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale të tregtimit.

Sipas vendimit të miratuar, tregtarët e fruta-perimeve do të zhvendosen në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.

Protestuesit shprehen se vendimi është marrë pa një konsultim real me ta dhe pa u ofruar garanci për kushtet minimale të punës.

Ata theksojnë se zhvendosja larg qendrës së qytetit i largon nga klientët dhe rrezikon seriozisht mbijetesën ekonomike të familjeve që jetojnë nga ky aktivitet.