Martesa me kontratë, pse? Avdyli: Kontrata rregullon marrëdhëniet midis dy a më shumë palëve

Në një diskutim të detajuar mbi marrëdhëniet juridike dhe sociale në familjen shqiptare, theksohet rëndësia e kontratave dhe formalizimit të marrëdhënieve, jo si shenjë mosbesimi, por si mjet sigurie.

Tradita shqiptare shpesh e ka lënë anën ligjore pas dore duke u bazuar te fjala e nderit, por realiteti modern tregon se dokumentimi ligjor shmang konflikte të rënda midis brezave apo në raste fatkeqësish.

Pikërisht ishte kjo tema e diskutimit në emisionin “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai.

Kryetarja e Dhomës së Ndërmjetëseve, njëkohësisht dhe pedagoge Drita Avdyli u shpreh se në botë dhe në vendet e BE-së, kontratat kanë qenë me vite.

“Ne shqiptarët tash këto 20 vitet e fundit po na duket si kontrata, biles të dy personat rregullojnë marrëdhëniet e tyre që në fillim dhe nuk ka më bukur kur gjërat nisin bukur që në fillim.

Shqiptarët duhet të mësohen që në çdo moment të kenë gjërat në mënyrë ligjore, të shkruajtura, nuk ka më gjëra me gojë, marrëdhënie xhentëlmenësh, sepse një ditë të bukur dhe brenda një familje, dy vëllezër ose dy motra, nëse nuk kanë një diçka të shkruar, ndoshta, me kalimin e viteve, brezi i dytë apo i tretë, pra fëmijët e këtyre dy vëllezërve, nuk dinë se ç'kanë bërë këto dy, vëllezër ose motra, ose ndodh një fatkeqësi që vdes njëri dhe ku mbetën këto fjalët në erë?

Pra, kjo kontratë rregullon marrëdhëniet midis dy a më shumë palëve. Sepse kur ka konflikt, palët duhet të shkojnë pastaj tek ndërmjetësi. Unë e shoh, me një fjalë, kontratën si një detyrim ligjor që duhet të kenë njerëzit.

Pra ne dhe kur blejmë një diçka, duhet të lidhim pra, blejmë një telefon, marrim një numër telefoni, ne i japim direkt kartën e identitetit dhe atje në rrugë e firmosim pa lexuar. Jo. Duhen të mbrohen të dhënat, të mbrohet pasuria, sepse ndodhin shumë gjëra pas.”, u shpreh ajo.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”