BATEMAN, PASQYRË E KRIZËS BURRËRORE/ Nga romani “American Psycho” te kultura moderne mashkullore

Romani “American Psycho” i Bret Easton Ellis vazhdon të ndikojë debatin mbi maskilizmin modern edhe 35 vjet pas botimit. Personazhi Patrick Bateman, simbol i dhunës dhe obsesionit për statusin, është shndërruar në referencë kulturore nga rrjetet sociale deri te politika si keqinterpretohet i suksesit mashkullor.

Kanë kaluar 35 vjet nga botimi i romanit “American Psycho”, por personazhi i Patrick Bateman vazhdon të jetë i pranishëm në kulturën pop dhe në debatet mbi identitetin mashkullor.

Fillimisht një satirë e ashpër ndaj kapitalizmit amerikan të viteve ’80, romani përshkruan jetën e një bankieri të pasur të Wall Street-it, të fiksuar pas markave luksoze, pamjes fizike dhe pushtetit, ndërsa fsheh një anë të errët dhe të dhunshme.

Adaptimi kinematografik me Christian Bale e forcoi figurën e Batemanit si ikonë kulturore, ndërsa sot personazhi po rikthehet edhe në teatër përmes një versioni të ri muzikor.

Sipas kritikëve, Bateman nuk është thjesht një figurë letrare, por pasqyron kriza më të thella të maskilizmit modern: ankthin për statusin shoqëror, obsesionin me trupin dhe mungesën e empatisë.

Këto tipare lidhen sot me fenomene si kultura “incel”, influencuesit e fitnesit dhe modelet toksike të suksesit mashkullor në rrjetet sociale.

Ironikisht, një personazh i krijuar për të kritikuar këtë mënyrë jetese, është kthyer nga disa rryma në model për t’u ndjekur.

Bateman shihet si simbol i të ashtu quajturit “mashkullit sigma”, një figurë që glorifikon izolimin, forcën dhe dominimin. Ky keqlexim i mesazhit ka bërë që romani të marrë një kuptim të ri politik dhe shoqëror.

Analistët vërejnë se obsesioni me pamjen, pushtetin dhe famën, që Ellis satirizoi dekada më parë, është sot edhe më i dukshëm në epokën e Instagramit dhe TikTok-ut.

Në këtë kontekst, “American Psycho” shihet si një pasqyrë e frikshme e krizës së identitetit mashkullor dhe një paralajmërim për një shoqëri që rrezikon të glorifikojë sipërfaqen dhe të harrojë përmbajtjen.