E ARDHMJA NË DILEMË/ Trabzonspori s’ka vendosur ende për blerjen e kartonit të Ernest Muçit

E ardhmja e Ernest Muçit mbetet ende në pikëpyetje. Edhe pse aktualisht ai po bën një paraqitje mbresëlënëse me skuadrën e Trabzonsporit, drejtuesit e klubit nuk kanë vendosur ende nëse do të investojnë apo jo 8.5 milionë euro për blerjen përfundimtare të kartoni të sulmuesit shqiptar nga Beshiktashi.

E ardhmja e Ernest Muçit vijon të jetë e paqartë. Edhe pse sulmuesi i Kombëtares po kalon një moment tepër pozitiv me Trabzonsporin, klubi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar nëse do e blejë kartonin e tij nga Besiktashi. Një vendim që lidhet jo vetëm me formën sportive, por edhe me aspektin financiar.

24-vjeçari ndodhet aktualisht te Trabzonspori në formë huazimi, por me të drejtën e blerjes së kartonit të lojtarit ‘kuqezi’. Klubi nga Trabzoni pagoi 1.5 milionë euro për huazimin e tij, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe opsioni për blerjen përfundimtare nga Besiktashi, për shumën prej 8.5 milionë eurosh.

Një shifër e konsiderueshme kjo për drejtuesit e Trabzonsporit, të cilët po e analizojnë me kujdes situatën përpara se të marrin vendimin final.

Nga ana sportive, Ernest Muçi ka bërë gjithçka për të bindur klubin. Ai ka shënuar 8 gola dhe 1 asist në 15 ndeshje me fanellën e Trabzonsporit në Superligën turke gjatë këtij sezoni, ndërsa forma e tij në javët e fundit ka qenë edhe më e jashtëzakonshme.

Në 11 ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe kupës, Muçi ka realizuar 10 gola dhe ka dhuruar edhe 1 asist, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës.

Megjithatë, përveç aspektit sportiv, Trabzonspori po shqyrton edhe anën financiare të marrëveshjes. Përveç shumës prej 8.5 milionë eurosh për kartonin, një tjetër faktor i rëndësishëm është paga e lojtarit.

Ernest Muçi përfiton një rrogë prej rreth 2.5 milionë eurosh në sezon, një shifër e lartë për buxhetin e klubit, çka e bën vendimin edhe më delikat.

Vendimi për blerjen ose jo të kartonit të Ernest Muçit nga drejtuesit e Trabzonsporit pritet të merret në javët në vijim. Nëse klubi do të vendosë të investojë te Muçi, ai do të bëhej një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e skuadrës.