GAUFF THYEN RAKETËN PAS HUMBJES/ Eliminohet në çerekfinale pas humbjes së shpejtë ndaj Svitolinës
Ëndrra e Coco Gauff për të fituar Australian Open përfundoi pas vetëm 59 minutash lojë. Tenistja amerikane u mposht bindshëm nga Elina Svitolina me rezultatin 6-1, 6-2 në çerekfinale. Pas ndeshjes, Gauff u filmua duke thyer raketën nga nervozizmi.
Coco Gauff nuk arriti të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt titullit në Australian Open, duke u eliminuar në çerekfinale nga ukrainasja Elina Svitolina. Ndeshja zgjati vetëm 59 minuta dhe u mbyll me fitoren e pastër të Svitolinës 6-1, 6-2.
Amerikania, e cila kishte shfaqur formë shumë të mirë në raundet e mëparshme, u shfaq e pasigurt që në setin e parë. Ajo kreu pesë gabime të dyfishta në shërbim dhe humbi katër herë radhazi servis-gejmet e saj.
Svitolina përfitoi nga momenti i dobët i rivales dhe dominoi lojën me ritëm të lartë dhe goditje të sakta, duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale, ku do të përballet me numrin një të botës, Aryna Sabalenka.
Pas ndeshjes, Gauff u filmua duke thyer raketën në një zonë të brendshme të stadiumit, në një moment zhgënjimi që ajo mendonte se ishte privat.
Në deklaratën për mediat, 21-vjeçarja tha se u përpoq të largohej nga kamerat dhe se nuk i pëlqen të shfaqë këto reagime publikisht.
Gauff shtoi se thyerja e raketës ishte një mënyrë për të shkarkuar emocionet, në mënyrë që të mos i drejtonte nervozizmin ndaj ekipit të saj.
Sipas saj, është e rëndësishme të menaxhosh frustrimin pas një humbjeje të tillë, për të ruajtur ekuilibrin dhe për t’u rikthyer më e fortë në turnetë e ardhshme.
