SEKONDA DREJT FUNDIT/ Shkencëtarët paralajmërojnë për rreziqe globale në rritje

Ora e Kiametit u vendos në 85 sekonda para mesnatës. Shkencëtarët paralajmërojnë se rreziqet globale janë në nivel kritik. Armët bërthamore, klima dhe inteligjenca artificiale po përkeqësojnë situatën.

Ora e Kiametit, simboli më i njohur i rrezikut global për njerëzimin, është vendosur këtë vit në vetëm 85 sekonda para mesnatës, niveli më i rrezikshëm i arritur ndonjëherë që nga krijimi i saj në vitin 1947.

Vendimi u mor nga Buletini i Shkencëtarëve Atomikë, i cili thekson se njerëzimi po përballet me një kombinim kërcënimesh serioze: rrezikun bërthamor, krizën klimatike, kërcënimet biologjike dhe zhvillimin e pakontrolluar të inteligjencës artificiale.

Sipas shkencëtarëve, situata është përkeqësuar për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së konflikteve ushtarake, përfshirë shtete të armatosura me armë bërthamore.

Një shqetësim i madh është edhe skadimi i traktateve për kontrollin e armëve, që rrezikon një garë të re armatimi.

Presidentja e Buletinit, Alexandra Bell, deklaroi se njerëzimi nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm për të ulur rreziqet ekzistenciale dhe se çdo sekondë ka rëndësi. Ajo theksoi se teknologjitë e krijuara nga vetë njeriu po kthehen në kërcënim për të ardhmen e planetit.

Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu për rolin e dezinformimit dhe teorive të konspiracionit, të cilat po dëmtojnë besimin publik dhe po pengojnë veprimin kolektiv.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se kthimi pas i akrepit është ende i mundur, përmes vendimeve të guximshme politike, bashkëpunimit global dhe angazhimit qytetar. Ora e Kiametit mbetet një alarm i fortë: koha po mbaron, por zgjedhja është ende në duart e njerëzimit.