” 2026, viti kyç për negociatat e anëtarësimit në BE”/ Rama: Vendi duhet t'i jetësojë reformat jo vetëm ti kalojë 

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se vitit 2026 është një vit i rëndësishëm dhe kyç për negociatat e anëtaësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij në podcastin 'Flasim', Rama u shpreh se gjatë javës u prezantua paketa e re me 12 nisma ligjore që pritet të miratohen këtë vit.

Ndërkohë që në fund të fjalës, Rama theksoi se vendi nuk duhet vetëm ti kalojë reformat, por t'i jetësojë ato.    

”Ky është një vit kyç për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një moment vendimtar për procesin dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e negociatave.

Dhe këtë javë, pikërisht për këtë arsye, është prezantuar edhe paketa e re, me një duzinë nismash ligjore që shkojnë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe këto janë nisma që përfshijnë fusha thelbësore si; lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve, dhe nuk janë thjesht detyrime në letër, që natyrisht janë edhe detyrime në kartën e ligjit që burojnë nga negociatat, por janë dhe një investim i mëtejshëm në besimin e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit ligjor.

 Ky është një vit kur Shqipëria duhet me patjetër të provojë se është e gatshme, jo vetëm t'i kalojë reformat, por dhe t'i jetësojë ato, duke pasur parasysh që të gjithë çdo ditë, në çdo hap, se ky moment nuk mund të humbet,” tha Rama.