Skema Kombëtare 2026 për fermerët, Rama: Ka nisur një tur dëgjesash publike, financim aty ku prodhohet më shumë

Edi Rama: Këtë javë ka nisur edhe një tur dëgjesash publike i Ministrit të ri të Bujqësisë, me fermerët në të gjithë vendin, që ka si qëllim hartimin e Skemës Kombëtare të 2026, pra, kanalizimin e të gjithë buxhetit dhe të të gjitha burimeve të financimit të bujqësisë, duke hartëzuar të gjithë hapat së bashku me fermerët dhe duke hapur rrugën e forcimit të të gjitha urave që ne i kemi ngritur me komunitetin sipërmarrës të fshatit, edhe me ata që punojnë si bujq në tokën e tyre përmes dëgjimit të çdo shqetësimi dhe pastaj sintezës mbi idetë.

Është vit shumë i rëndësishëm në aspektin buxhetor dhe në aspektin financiar, sepse potenciali për të disbursuar, jo thjesht fondet e buxhetit fillestar, por një volum shumë më të madh financimi është aty, sepse nuk është vetëm buxheti i shtetit, është linja e kredisë e garantuar nga Banka e Shqipërisë, është nga ana tjetër, AZHBR-ja, është AgroKrediti, është edhe një tjetër injeksion financimi që ne do të bëjmë, përgatitja për të cilën fillon tani, përmes Bankës së re të Zhvillimit, kështu që na duhet me patjetër që të adresojmë nevojat dhe t'i kanalizojmë këto financime, aty ku ka më shumë efikasitet dhe aty ku do të prodhojë më shumë vlerë të shtuar.