FOTO-ALBUMI I PROTESTËS/ Nga Kryeministria te Kuvendi, tri orë “luftë” në mes të Tiranës! Protestues, policë dhe gazetarë të lënduar nga beteja me gaz lotsjellës. Arrestime dhe akuza mes palëve

Dhjetëra kokteje molotov u hodhën në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë, gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita.

Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium gjatë kohës që hidheshin koktejet me molotovë, të cilat rrezikuan forcat e rendit që ishin mbledhur kordon, në ruajtje të institucionit.

Gjithashtu protestuesit hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë edhe një mori me fishekzjarrë.

Në përgjigje të lëndëve piroteknike të hedhura nga protestuesit, policia reagoi duke hedhur gaz lotësjellës si dhe ujë me presion përmes një autoboti, për të shpërndarë protestuesit.

Pas këtyre momenteve të tensionuara, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në drejtim të Kuvendit.

Pasi mbërritën para ambienteve të Kuvendit, pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, mes tyre edhe deputetë të PD-së si Luciano Boçi, Flamur Noka dhe Besart Xhaferri. Gjatë tensioneve, policia hodhi sërish gaz lotësjellës duke bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i bëri thirrje policisë që mos të prekë qytetarët.

“Mos merrni urdhra për të mbrojtur kartelet e drogës dhe korrupsionit, por bëhuni besnikë të qytetarëve dhe të ligjit dhe Kushtetutës. Çdo shërbim ndaj narkoshtetit është shërbim kundër shtetit. I bëj thirrje të bëjnë kujdes, mos të prekin asnjë qytetarë kjo është një protestë qytetare, është një revoltë qytetare. Arrestimet dhe shoqërimet tregojnë panik”, tha Noka.

REAGIMI I POLICISE

"Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie.

Ndërkohë, grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre".

Në përfundim të protestës, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka dënuar sulmet e policisë me gaz dhe helmimin e gazetarëve. Sipas tij, ‘gazetarët kanë qenë neutralë, kanë qenë duke bërë detyrën e tyre të informimit të qytetarëve, por raportimet e tyre kanë tmerruar Ramaduron dhe Surrelin’.

Ndërkaq, Berisha ka falënderuar gazetarët për punën e bërë.

Kjo është protesta e dytë kombëtare e PD-së në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

VIDEO – LIVE - JA ÇFARË NDODHI MBRËMJEN E SOTME NË TIRANË