Një vit pa Kryepiskopin Anastas/ Imzot Arjan Dodaj në konferencën memoriale: Ishte dhuratë për mbarë popullin

Një konferencë memoriale ndërkombëtare u mbajt ditën e djeshme në nderim të Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë, Anastasit me rastin e përvjetorit të parë të ndarjes së tij nga jeta.

Imzot Arjan Dodaj, mbajti i pari fjalën në konferencë ku u shpreh se Kryepiskopi Anastas ishte një dhuratë për Kishën Ortodokse të Shqipërisë, për mbarë popullin dhe për atë vetë.

Imzot Dodaj tha se mes tyre ka ekzistuar një lidhje e thellë shpirtërore, e ndërtuar mbi vëllazërinë e sinqertë, respektin e ndërsjellë dhe dashurinë baritore

“Me një ndjenjë të thellë në zemër të mbushur me mirënjohje ndaj Hyjit, ju përshëndes në këtë konferencë përkujtimore dhe nderuese për Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos për përvjetorin e parë të kalimit të tij në amëshim.

Në këtë mbrëmje si Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, falenderoj Hyjin jo vetëm për dhuratën që ka qenë për Kishën Ortodokse të Shqipërisë dhe për mbarë popullin e kësaj toke, por edhe për dhuratën personale që ka qenë për mua. Mes nesh ka ekzistuar një lidhje e thellë shpirtërore, e ndërtuar mbi vëllazërinë e sinqertë, respektin e ndërsjellë dhe dashurine baritore. E mbaj në zemër kujtimin e përqafimit të tij atëror, që në çdo takim me dashuri ungjillore përcillte Krishtin para se të vinin fjalët.

Krishti i ringjallur e ka mposhtur vdekjen në zemrat e shumë vëllezërve dhe motrave, pikërisht nëpërmjet dëshimsë dhe jetës së Fortlumturisë Anastasit. E kjo fitore mbetet sot e gdhendur në mënyrë të prekshme në katedralen e Ngjalljes në Tiranë, shenjë monumentale e një feje të ringjallur nga rrënojat e cila ruan sot eshtrat e Tij të nderuara dhe vazhdon të shpallë se vdekja nuk e ka fjalën e fundit”, u shpreh Imzot Arjan Dodaj.