TRILLIM APO REALITET? Regjisorja e “The Voice of Hind Rajab” rrëfën ndërtimin e filmit për vajzën palestineze
Regjizorja e filmit The Voice of Hind Rajab, i cili tregon historinë reale të një vajze palestineze 6 vjeçar me të njëjtin emër, tregon për vështirësitë e realizmit të tij dhe frikën se si do të perceptohej nga publiku. Ajo nuk e quan investigim, por një akt dëshmie që përfshin edhe trillin brenda.
“Po qëllojnë mbi mua. Ju lutem ejani të më merrni. Kam frikë.”
Këto janë fjalët e fundit të regjistruara të Hind Rajab, një vajzë palestineze gjashtëvjeçare, e cila mbeti e bllokuar nën zjarr në Gaza në vitin 2024.
Kur regjisorja tuniziane Kaouther Ben Hania dëgjoi thirrjen e saj emergjente në rrjetet sociale, ajo thotë se e kuptoi menjëherë se duhej të bënte diçka.
Ajo ndaloi filmin që po përgatiste dhe vendosi të tregojë historinë e Hindit, e cila u vra sipas disa hetimeve mediatike, me shumë gjasa nga zjarri izraelit bashkë me familjarët e saj.
“Zëri i saj më përndiqte,” thotë Ben Hania për BBC.
“Isha e zemëruar, e trishtuar dhe ndihesha e pafuqishme. Dhe e urrej ndjesinë e pafuqisë. Jam regjisore, kjo është ajo që mund të bëj.”
Filmi The Voice of Hind Rajab, i shfaqur së fundmi në kinematë britanike, kombinon regjistrimet reale të thirrjeve telefonike të Hindit me një rindërtim dramatik të punonjësve të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze që përpiqeshin ta ndihmonin nga distanca.
Ndërsa Hind fliste, ajo ishte e rrethuar nga trupat e pajetë të familjarëve të saj. Ambulanca që po përpiqej ta arrinte u godit gjithashtu, duke vrarë edhe ekuipazhin mjekësor.
Rasti është përmendur edhe nga OKB-ja në akuza për krime lufte, të cilat Izraeli i mohon.
Ben Hania thotë se filmi i saj nuk është hetim, por një akt dëshmie. “Kinemaja mund të bëjë diçka më të fuqishme se shpjegimi, të ngjallë empati.” thotë ajo.
Aktorët, të gjithë me origjinë palestineze, përjetuan emocione të forta gjatë xhirimeve.
Motaz Malhees, që luan një operator telefonik, thotë se pati sulme paniku: “Ishte si të flisje vërtet me një fëmijë që po vdiste.”
Filmi u mirëprit në Festivalin e Venecias, me një ovacion 23-minutësh dhe mbështetje nga figura të njohura të Hollivudit.

