Prezantohen filmat kandidatë për çmimin “Ariu i Artë” në Berlinale 2026

Filmat kandidatë me protagonistë Pamela Anderson, Channing Tatum dhe Sandra Hüller janë ndër 22 filmat në garë për çmimin “Ariu i Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin të këtij viti.

Regjisorja amerikane, Tricia Tuttle zbuloi kandidatët për çmimin kryesor në “Berlinale”, i cili konsiderohet si një nga festivalet më të mira të filmit në botë, së bashku me Festivalin e Filmit ne Kanë dhe Festivali i Filmit në Venecia.

Edicioni i 76-të i festivalit zhvillohet nga 12 deri më 22 shkurt në kryeqytetin gjerman.

Gara për çmimin “Ariu i Artë” – i fituar në vitin 2025 nga filmi “Dreams (Sex Love)” i regjisorit norvegjez, Dag Johan Haugerud – përfshin filmin “Rosebush Pruning” me regji të Karim Aïnouz, me protagonistë Pamela Anderson së bashku me Elle Fanning, Callum Turner dhe mbesën e Elvis Presley, Riley Keough.

Aktorja e famshme gjermane, Sandra Hüller shfaqet në filmin “Rose” të regjisorit austriak Markus Schleinzer.

Gjithashtu në garë janë filmi “Josephine” me yllin amerikan Channing Tatum, me regji të Beth de Araújo, dhe filmi “At the Sea” i Kornél Mundruczó, me protagoniste Amy Adams.

Tre filma nga regjisorë gjermanë janë përfshirë në listë: “Yellow Letters” me regji të Ilker Çatak; “My Wife Cries” me regji të Angela Schanelec dhe “Something Very Special” me regji të Eva Trobisch.

Regjisori i famshëm Wim Wenders – i njohur për filmat klasikë si “Paris, Texas” dhe “Wings of Desire” – kryeson Jurinë Ndërkombëtare këtë vit, me aktoren Michelle Yeoh që pritet të marrë çmimin e nderit “Ariu i Artë” për arritje jetësore.

Gjithashtu, kompozitori Max Richter do të nderohet me çmimin e Kamerës në Berlinale.