JETA SI BEQAR, BEN AFFLECK I QESHUR/ Pas divorcit me Jennifer Lopez, fokus te e ardhmja
Ben Affleck ka tërhequr vëmendjen në West Hollywood me deklarata plot humor për jetën e tij personale, duke folur hapur për beqarinë dhe marrëdhëniet e së shkuarës.
Aktori duket më i relaksuar pas divorcit me Jennifer Lopez dhe gati për një kapitull të ri.
Ai ka surprizuar me një moment humori dhe çiltërsie gjatë një daljeje publike në West Hollywood, duke thyer imazhin e tij zakonisht serioz. Aktori 52-vjeçar u pa teksa shkonte për darkë në restorantin luksoz italian “Lavo Ristorante”, ku u ndal nga gazetarët dhe iu përgjigj me buzëqeshje disa pyetjeve personale, madje edhe në spanjisht të rrjedhshme.
I pyetur nëse jeta si beqar po e trajtonte mirë, Affleck u shpreh pozitivisht, përpara se të shpërthente në të qeshura kur u cilësua si “beqari më i dëshiruar i Hollywood-it”. Në një moment që u bë menjëherë viral, aktori iu përgjigj në spanjisht pyetjes nëse ende kishte një preferencë për gratë latine. “Po, sigurisht”, tha ai me ton ironik, duke treguar anën e tij më të relaksuar.
Deklarata vjen në një periudhë kur Affleck ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për jetën e tij sentimentale. Marrëdhënia e tij më e fundit ishte me Jennifer Lopez, një nga figurat më të njohura latine në industrinë e argëtimit. Çifti, i cili ishte lidhur për herë të parë në fillim të viteve 2000, u ribashkua në vitin 2021, u martua në vitin 2022, por u nda përfundimisht në vitin 2024, me divorcin që u finalizua në janar të këtij viti.
Edhe pas ndarjes, dyshja mbetet e lidhur për shkak të shitjes së vilës luksoze ku kishin jetuar së bashku. Pas dështimit për ta shitur fillimisht për 68 milionë dollarë, çmimi është ulur, ndërsa raportohet se Affleck dëshiron një zgjidhje të shpejtë, ndryshe nga Lopez, e cila nuk nxiton.
Më herët, aktori kishte pasur një romancë të përfolur edhe me aktoren kubano-spanjolle Ana de Armas, si dhe një martesë të gjatë me Jennifer Garner, me të cilën ka tre fëmijë. Pavarësisht historisë së ndërlikuar sentimentale, Affleck duket se po e përballon këtë fazë me më shumë lehtësi, duke dhënë sinjale se është gati të ecë përpara.
