Familja Beckham në krizë, djali i tyre shpërthen ndaj prindërve: Nuk do pajtohem! Po përpiqen të shkatërronjnë martesën time!

Thellohet drama në familjen e të famshmëve David dhe Victoria Beckham. Djali i tyre, Brooklyn Peltz Beckham po përpiqet të paraqesë anën e tij të historisë në lidhje me thashethemet intensive që kanë shpërthyer muajt e fundit për marrëdhënien me prindërit e tij.

Djali më i madh i familjes i akuzon ata se e sulmojnë atë dhe gruan e tij në shtyp, duke u përpjekur vazhdimisht të shkatërrojnë marrëdhënien e tij me Nicola Peltz. Ai thotë se pas muajsh spekulimesh, ndërsa ishte përpjekur ta mbante jetën e tij personale private, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të “fliste për veten ”.

“Kam heshtur për vite me radhë, kam bërë gjithçka që munda për t’i mbajtur këto çështje private. Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre vazhdojnë të kontaktojnë shtypin, duke mos më lënë zgjidhje tjetër veçse të flas për veten time dhe të tregoj të vërtetën për vetëm disa nga gënjeshtrat që janë publikuar“, shkroi ai, duke shtuar “Nuk dua të pajtohem me familjen time. Askush nuk më kontrollon. Po mbroj veten për herë të parë në jetën time. Kohët e fundit pashë me sytë e mi se sa larg shkonin ata për të mbushur median me gënjeshtra të panumërta kundër njerëzve të pafajshëm , me qëllim që të ruanin vitrinën e tyre . Por unë besoj se e vërteta del gjithmonë në shesh.”

Ai pretendon se gruaja e tij, një aktore amerikane dhe vajza e miliarderit Nelson Peltz, është trajtuar sistematikisht “pa respekt nga familja ime, pavarësisht se sa shumë jemi përpjekur të jemi të bashkuar”.

Brooklyn ngre akuza ndaj nënës së tij, Victoria, duke pretenduar se ajo anuloi në momentin e fundit realizimin e fustanit të nusërisë për Nicola Peltz dhe se u përpoq ta bindte atë të hiqte dorë nga të drejtat mbi emrin e tij përpara martesës. Një nga momentet më të ndjeshme që Brooklyn përmend lidhet me ditën e dasmës, ku ai tregon se vallëzimi i parë me bashkëshorten e tij u prish nga ndërhyrja e nënës së tij, gjë që e bëri të ndihej i parehatshëm dhe i poshtëruar përpara të ftuarve.

“Mamaja ime priste që ajo të kërcente me mua dhe ajo kërceu në mënyrë të papërshtatshme me mua, para të gjithëve”.

Arsyeja, në fund të fundit, pse ata i rinovuan zotimet e tyre në vitin 2025 ishte, siç shpjegon ai, për të krijuar kujtime të reja “që na japin gëzim, në vend të ankthit dhe sikletit”.

Lidhur me mungesën e tyre në ditëlindjen e 50-të të babait të tij, ai tha se udhëtoi me gruan e tij për në Londër, por “na refuzuan për një javë, ndërsa prisnim në dhomën e hotelit për të kaluar kohë cilësore me të. Ai refuzoi të gjitha përpjekjet tona, me përjashtim të festës së tij të madhe të ditëlindjes, me qindra të ftuar dhe kamera në çdo cep”.

Më në fund, babai i tij pranoi ta takonte, por me kusht që gruaja e tij të mos ishte e pranishme, gjë që ai e përshkroi si “një shuplakë në fytyrë”.

Ai po ashtu hedh akuza se vëllai i tij i vogël, Romeo kishte planifikuar të merrte në atë festëq edhe një ish të dashurën e tij. Ai beson se kjo ka të bëjë me nënën e tij, të cilën e akuzon se vazhdimisht ka ftuar gra nga e kaluara e tij për t’i bërë të ndihen në siklet.

“Ekspozimi publik” është përparësia numër një e familjes së tij, sipas Brooklyn. “Marka Beckham vjen e para” dhe se dashuria në familje matet me numrin e postimeve që bën në rrjete sociale. Ai gjithashtu përpiqet të hedhë poshtë thashethemet se gruaja e tij e kontrollon, duke shkruar se “e kundërta është e vërtetë: Prindërit e mi më kontrollonin, për pjesën më të madhe të jetës sime. U rrita me ankth të padurueshëm. Për herë të parë në jetën time, që kur u largova nga familja ime, ky ankth u zhduk”.- shkruan Brooklyn/Tema