KUVENDI E NIS NË NGËRÇ/ Kikia: Parlamenti po shkon drejt një degradimi të mëtejshëm

Sesioni i ri parlamentar në Shqipëri që do të nisë zyrtarisht punimet pasditen e sotme, pritet të jetë një fotokopje e sesionit të shkuar.

Kjo pasi sinjalet e ndasive u dhanë që në mbledhjen e parë të këtij viti të Konferencës së Kryetarëve të grupeve dhe komisioneve parlamentare, mbledhje kjo që u mbyll pa një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për programin.

I ftuar në një intervistë për “Ora News”, analisti Mentor Kikia argumentoi se parlamenti po shkon drejt një degradimi të mëtejshëm të funksionit të tij thelbësor: debatit ligjvënës.

Sipas tij, politika shqiptare e nisi këtë sezon ekzaktësisht aty ku e la të vjetrin, me të njëjtat probleme, konflikte dhe mungesë totale të dakordësisë për çështjet madhore.

Mungesa e konsensusit dhe gjuha e forcës

Pika nevralgjike e konfliktit mbetet mosmarrëveshja për komisionet e posaçme, specifikisht Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe atë të Reformës Territoriale.

Refuzimi i vazhdueshëm për të gjetur një gjuhë të përbashkët ka krijuar një ngërç që paralizon çdo iniciativë për përmirësimin e rregullave të lojës demokratike.

Kikia vëren se ajo që do të karakterizojë këtë sesion nuk do të jetë thjesht mosmarrëveshja, por një ashpërsim i dukshëm i mjeteve politike. Pritet një gjuhë edhe më agresive dhe një mjedis tejet i tensionuar, ku raportet mes mazhorancës dhe opozitës do të jenë në pikën e tyre më kritike.

Parlamenti si “Noter” i kaosit

Një nga pasojat më shqetësuese të këtij konflikti, sipas analizës së Kikiajt, është transformimi i seancave plenare në procese rutinë dhe kaotike.

Strategjia e opozitës për të bllokuar punimet si formë proteste, dhe kundërpërgjigja e mazhorancës për të vijuar me çdo kusht, prodhon një rezultat paradoksal: ligje që miratohen me shpejtësi marramendëse, pa asnjë diskutim përmbajtësor.

“Deputetët do të ngrenë kartona të paditur se për çfarë votojnë”, theksoi Kikia, duke nënvizuar se ky proces mekanik dëmton rëndë cilësinë e legjislacionit shqiptar.

Ai tha se ligjet kalojnë pa u filtruar, pa u përmirësuar dhe pa u debatuar mbi to, duke e kthyer parlamentin në një noter të thjeshtë të vullnetit të qeverisë.

Zgjerimi i hartës së protestës

Përveç kaosit brenda sallës, opozita pritet të zbresë në rrugë. Kikia evidenton se nuk është vetëm Partia Demokratike që po organizon rezistencën; ka të paktën tri qendra opozitare aktive, përfshirë lëvizje të reja si: “Lëvizja Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, të cilat kanë agjendat e tyre të protestave.

Kjo, tha Kikia, tregon një diversifikim të pakënaqësisë, por edhe një fragmentarizim që mund të ndikojë në efikasitetin e aksionit politik.

“Me Partinë Demokratike që paralajmëron protesta masive në fund të janarit, dhe lëvizjet e tjera që mbajnë presionin në rrugë, viti politik parashikohet të jetë gjithçka përveçse normal. Në këtë klimë, hapësira për dialog konstruktiv duket inekzistente, duke lënë qytetarët në pritje të zgjidhjeve që duket se nuk do të vijnë nga ky sesion parlamentar”, u shpreh ndër të tjera analisti Mentor Kikia.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN MENTOR KIKIA