EMRAT/ U arrestuan pas arratisjes së Altin Ndocit, dalin para gjykatës 9 zyrtarët e burgut të Durrësit

Nëntë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, do të dalin sot (e shtunë, 17 janar), para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela.

Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.

Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion, ndërsa është shkarkuar gjithë zinxhiri komandues i këtij institucioni.

Si ndodhi arratisja e Altin Ndocit

Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.

Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.

Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.