Durrës/ Aksidente me pasoja të rënda, një i vdekur dhe disa të arrestuar nga Policia Rrugore
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin rrugor te ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasit A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo.
26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.
•Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, mbi aksidentin në rrugën “Martin Camaj”, informojmë se në përfundim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. L., për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Shtetasi E. L., me automjetin që drejtonte, dyshohet se ka përplasur këmbësorin, shtetasin Y. K., i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
•Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasit:
-L. M., 58 vjeç dhe R. L., 50 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën duke drejtuar motomjete, pa leje drejtimi dhe pa dokumentacionin e nevojshëm;
-H. C., 63 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
•Në vijim të informacionit të dhënë më datë 14.01.2026, mbi zjarrin e rënë në objektin në pronësi të shtetasit V. D., në fshatin Metallë, ku mbaheshin bagëti dhe ushqim për to, informojmë se nga hetimet e kryera dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e pakujdesisë së shtetasit që kishte në përdorim objektin, M. P., 33 vjeç, për të cilin në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
