27 vjet pas Reçakut, Besnik Shabiu: Krimi serb që i hapi sytë ndërkombëtarëve

Në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, kujtohet një nga ngjarjet më tronditëse dhe vendimtare në historinë e re të Kosovës.

Kjo masakër, ku u vranë 45 civilë, shënoi një pikë kthese dramatike, duke detyruar faktorin ndërkombëtar të kthente vëmendjen e plotë mbi krimet e regjimit serb.

Në këndvështrimin e aktivistit nga Kosova, Besnik Shabiu,  ngjarja e 15 janarit 1999 nuk ishte thjesht një akt brutal, por një "momentum kthese" që ndryshoi rrjedhën e historisë.

I ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News”, Shabiu u shpreh se fatkeqësisht, u desh një tragjedi e përmasave të tilla që bota të shihte realitetin e luftës në Kosovë.

“Vrasja e civilëve të paarmatosur i ktheu njëherë e përgjithmonë sytë e atyre që deri atëherë kishin shfaqur skepticizëm ndaj natyrës së vërtetë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Masakra e Reçakut ekspozoi para botës të gjithë egërsinë e një politike që synonte dehumanizimin, shkatërrimin, përdhosjen, dhunimin dhe gjenocidin ndaj popullit të Kosovës.

Ajo shërbeu si dëshmia e pakundërshtueshme që ndikoi drejtpërdrejt në vendimmarrjen ndërkombëtare dhe që i hapi rrugë ndërhyrjes për t'i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik.

Edhe pas 27 vitesh, Reçaku mbetet një simbol i fuqishëm i vuajtjes, por edhe i kthesës vendimtare për themelimin e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AKTIVISTIN BESNIK SHABIU