PD-ja mbledh grupin parlamentar, takimi para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit
Gazetari Isa Myzyraj raportoi për "Ora News" se Partia Demokratike pritet të mblidhet në kuadër të nisjes së sesionit të ri parlamentar, i cili do të çelet zyrtarisht të hënën, më 19 janar, në orën 17:00. Sipas tij, në rendin e ditës së mbledhjes është parashikuar vetëm fjala e kryetarit të grupit parlamentar, pa hapur diskutime.
Myzyraj bëri me dije se ditën e enjte pritet të zhvillohet seanca e radhës plenare e Kuvendit. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike pritet të përcaktojë agjendën e saj politike për sesionin e ri parlamentar, i cili përfundon në korrik të këtij viti.
Sipas gazetarit të Ora News, PD-ja pritet të marrë vendime edhe për çështje të rëndësishme, si pjesëmarrja në Komisionet e Posaçme Parlamentare, konkretisht në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe atë të Reformës Territoriale. Këto komisione duhet të përmbyllin punën brenda vitit 2026, në përputhje me projekt-planin strategjik dhe planin e veprimit të Kuvendit, dokumente që u janë shpërndarë kryetarëve të komisioneve dhe anëtarëve të Kryesisë së Parlamentit.
Myzyraj theksoi se deri më tani Partia Demokratike e ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në këto komisione dhe ka ndërprerë komunikimin institucional në lidhje me reformat dhe aktet e tjera parlamentare. Kjo përfshin edhe procesin e zgjedhjes së drejtuesve të organeve të pavarura, si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku PD-ja ka propozuar një formulë të ngjashme me atë të ndjekur për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, i cili, sipas saj, u zgjodh në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste.
