“Starlink” ofrohet falas në Iran ndërsa regjimi vazhdon shtypjen e protestave

“Starlink” raportohet se ka hequr pagesat mujore të abonimit për përdoruesit brenda Iranit pasi qeveria e vendit ndërpreu internetin të enjten e kaluar, duke i shkëputur miliona njerëz nga familjet, puna dhe qasja në informacion, në një shtypjeje të përgjakshme të protestave, sipas BBC.

Teknologjia satelitore është bërë një linjë jetike komunikimi për disa prej personave që përpiqen t’i tregojnë botës se çfarë po ndodh në terren ditët e fundit.

Drejtori i një organizate që ndihmon iranianët të lidhen online gjithashtu për “BBC Persian” se “Starlink” ishte bërë falas.

Teknologjia satelitore, që i përket kompanisë “SpaceX'” të Elon Musk, ofron internet për dhjetëra mijëra njerëz në Iran, pavarësisht se është e paligjshme atje.

Që nga ndërprerja e internetit, ajo është bërë një nga kanalet e fundit, në mos i vetmi, për iranianët që të komunikojnë me botën e jashtme.

Përdorimi i shërbimit në Iran sjell dënim deri në dy vjet burg dhe autoritetet raportohet se po kërkojnë antenat e “Starlink” për të ndaluar njerëzit të lidhen me internetin.

Pajisja funksionon si një antenë celulare në hapësirë, duke përdorur një konstelacion satelitësh për të komunikuar me objekte të vogla në tokë që kanë një router WiFi të integruar.

Por pajisja është e kushtueshme dhe përtej mundësive të shumë iranianëve, ndaj fakti që është bërë falas mund të çojë në përdorim më të gjerë.

Duke folur për “Al Jazeera TV” të hënën, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se interneti ishte ndërprerë pasi qeveria ishte përballur me operacione terroriste.

Agjencia e lajmeve “Fars”, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), pretendoi se kufizimet e internetit ishin vendosur për të ndaluar platformat e huaja si “WhatsApp” dhe “Instagram” që përdoreshin për të organizuar dhunë dhe trazira.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar ndërprerjen totale të internetit si abuzim me pushtetin dhe një zëdhënës i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut tha se kjo ndikonte në punën e atyre që dokumentonin shkeljet e të drejtave të njeriut.

Deri tani, një grup i të drejtave të njeriut ka konfirmuar vrasjen e mbi 2400 protestuesve gjatë trazirave, si dhe gati 150 personave të lidhur me forcat e sigurisë, megjithëse besohet se shifrat janë shumë më të larta.

Megjithatë është e vështirë të vlerësohet shkalla e vërtetë e vdekjeve.

Ndërprerja e internetit e ka bërë gjithashtu të vështirë mbledhjen dhe verifikimin e provave për atë që po ndodh në terren.

Sipas organizatës së të drejtave të njeriut “Witness”, të paktën 50 000 persona po përdorin “Starlink” për të hyrë në internet.

Mahsa Alimardani, drejtoreshë e asociuar për teknologjine në këtë organizatë, tha se autoritetet iraniane ishin përpjekur të bllokonin agresivisht “Starlink” për të ndaluar qasjen, por nuk kishin pasur sukses. “Prandaj po i konfiskojnë fizikisht pajisjet”, shtoi ajo.

Qeveria iraniane ka një histori të gjatë spiunimi ndaj qytetarëve të saj, përfshirë në mënyrë digjitale, për të forcuar kontrollin mbi shoqërinë.

Raportohet se janë përdorur teknika “phishing” për të hakeruar telefonat dhe për të hyrë në të dhënat e njerëzve, ndërsa qasja në internetin iranian është kryesisht e kufizuar në një shërbim të brendshëm që imiton një intranet privat.

Qasja në platformat perëndimore si “Instagram”, “WhatsApp” dhe “Telegram” është e bllokuar, që do të thotë se iranianët duhet të përdorin VPN për t’i aksesuar.

Megjithatë, “Instagram” mbetet një nga platformat më të përdorura në Iran, me rreth 50 milion përdorues.

Edhe pse disa lajme po shpërndahen online, ekspertët thonë se qeveria iraniane synon të kontrollojë narrativën duke kufizuar informacionin që del jashtë.

Ana Diamond, bashkëpunëtore kërkimore në “Oxford Disinformation and Extremism Lab”, thotë se qeveria po e përdor informacionin si armë duke e kuruar me kujdes.

Pavarësisht rreziqeve, “Starlink” është bërë i domosdoshëm për shumë iranianë që komunikojnë me botën për atë që po ndodh brenda vendit.

Të martën, forcat e inteligjencës iraniane thanë se kishin sekuestruar një sasi të madhe pajisjesh “Starlink”, të cilat sipas tyre ishin destinuar për operacione spiunazhi dhe sabotimi brenda vendit.

Megjithatë, “BBC Persian” ka konfirmuar përmes burimeve të shumta në Iran se pajisjet po përdoren nga shumë njerëz që duan të komunikojnë pa censurë.