TAJLANDË/ Treni del nga shinat, të paktën 30 viktima

Të paktën 30 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën sot, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në Tajlandën verilindore, kur një vinç i madh çeliku u shemb gjatë punimeve hekurudhore, thanë shërbimet e shpëtimit dhe autoritetet.

Shkaku i saktë i aksidentit mbeti i paqartë disa orë pas incidentit.

Raportet fillestare thanë se vinçi kishte rënë mbi shina, disa sekonda përpara se të mbërrinte treni, duke shkaktuar një përplasje me shpejtësi.

Raportet e mëvonshme sugjeruan se vinçi mund të ishte shembur direkt mbi trenin në lëvizje.

Raportet e medias tajlandeze thanë se treni po udhëtonte me rreth 120 kilometra në orë kur vinçi u shemb.

Treni, që mbante gati 200 persona, po udhëtonte në qarkun Sikhio të provincës Nakhon Ratchasima, rreth 230 kilometra në verilindje të Bangkokut, rreth orës 9:00 të mëngjesit.

Operatori shtetëror hekurudhor në Tajlandë, SRT tha se të paktën 195 pasagjerë dhe personel ishin në bord.

Portali lokal i lajmeve “Thaiger” raportoi se shumë nga pasagjerët ishin studentë dhe udhëtarë.

Aksidenti ndodhi pranë punimeve të ndërtimit në një urë hekurudhore, pjesë e projektit hekurudhor me shpejtësi të lartë Tajlando-Kinë, i cili synon të lidhë Tajlandën me Kinën nëpërmjet Laosit dhe është pjesë e iniciativës infrastrukturore “Një Brez, një Rrugë” të Pekinit.

Raportet e medias tajlandeze thanë se materiale të tjera të rënda ndërtimi ranë gjithashtu mbi vagonët.

Disa vagona dolën nga shinat dhe të paktën një prej tyre u përfshi nga flakët.

Sipas vlerësimeve, numri i të plagosurve varion nga 55 në 80, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.