I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff: Plani i paqes për Gazën hyn në fazën e dytë
Zbatimi i planit të paqes për Gazën po hyn në fazën e tij të dytë, tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, me qëllimet kryesore të tilla si çarmatimi i Hamasit, krijimi i një qeverie teknokrate dhe fillimi i rindërtimit.
“Sot, në emër të presidentit Trump, po njoftojmë fillimin e Fazës së Dytë të Planit 20-pikësh të presidentit për të vendosur paqen në Gaza, duke kaluar nga armëpushimi tek çarmatimi, qeverisja teknokratike dhe rindërtimi”, shkroi ai në X.
Përfaqësues të grupit Hamas, i cili ishte në luftë me Izraelin para armëpushimit të tetorit, ndodheshin sot në kryeqytetin egjiptian Kajro për bisedime.
Stacioni televiziv egjiptian “Al-Qahera News” raportoi se pjesëmarrësit thanë se qëllimi i takimit ishte përgatitja për fazën e dytë të planit të paqes për Gazën.
Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Hamas kishte rënë dakord mbi emrat për qeverinë e planifikuar teknokratike tranzitore, e cila do të merret me çështjet civile dhe shërbimet publike në Gaza.
Asnjë anëtar i Hamasit nuk lejohet në këtë ekip.
“Faza e Dytë krijon një administratë teknokratike tranzitore palestineze në Gaza, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), dhe fillon çarmatimin dhe rindërtimin e plotë të Gazës, kryesisht çarmatimin e të gjithë personelit të paautorizuar”, tha Witkoff.
“SHBA pret që Hamas të përmbushë plotësisht detyrimet e tij, përfshirë kthimin e menjëhershëm të të fundit të pengut të vrarë. Dështimi për ta bërë këtë do të sjellë pasoja serioze”, theksoi ai.

