Tensionet me Iranin/ SHBA reduktojnë numrin e stafit në bazën kryesore në Al-Udeid si "masë paraprake"
Shtetet e Bashkuara po ulin numrin e personelit në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, një nga bazat më të mëdha amerikane në Lindjen e Mesme, që ka një rol kyç në operacionet ushtarake të SHBA-së në rajon.
Zyrtarët amerikanë e përshkruajnë këtë veprim si një “masë paraprake” për shkak të tensioneve rajonale.
Deklarata e qeverisë së Katarit thekson se ky hap merret “në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale”, ndërsa lajmi vjen pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për ndërmarrjen e “masave shumë të forta” ndaj Iranit nëse autoritetet iraniane ekzekutojnë protestues antiqeveritarë.
Nga ana e saj, Irani ka paralajmëruar kundërpërgjigje në rast sulmesh amerikane, ndërkohë që organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se më shumë se 2,400 protestues antiqeveritarë janë vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave në javët e fundit.
Reduktimi i personelit në bazën Al-Udeid është një sinjal i qartë i SHBA-së për gatishmërinë ushtarake, ndërkohë që tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të larta.
