Nisja e fazës së dytë të planit për paqe/ SHBA paralajmëron Hamasin: Përmbushni detyrimet ose do keni pasoja...
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, njoftoi nisjen e fazës së dytë të “planit me 20 pika” të presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës.
Sipas tij, faza e dytë shënon kalimin nga armëpushimi drejt një kuadri të ri që parashikon çmilitarizimin e plotë të Gazës, vendosjen e një qeverisjeje teknokratike dhe rindërtimin e zonës. Në këtë kontekst, parashihet krijimi i një administrate kalimtare palestineze teknokratike në Gaza, e quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).
Sipas njoftimit, Shtetet e Bashkuara presin që Hamasi të përmbushë plotësisht detyrimet e tij, përfshirë kthimin e menjëhershëm të trupit të fundit të pengut të vrarë. Në të kundërt, Uashingtoni paralajmëron se do të ketë pasoja të rënda.
Witkoff rikujtoi se faza e parë e planit ka sjellë një furnizim të gjerë me ndihmë humanitare, ruajtjen e armëpushimit dhe kthimin e të gjithë pengjeve të gjallë, si dhe të eshtrave të 27 nga 28 pengjet e vrarë. Ai shprehu gjithashtu falënderimet e SHBA-së ndaj Egjiptit, Turqisë dhe Katarit, duke theksuar se roli i tyre ndërmjetësues ka qenë vendimtar për përparimin e arritur deri më tani.
