Rinisin shkarkimet e kontrolluara/ KESH: 27 mijë MWh energji e prodhuar nga HEC-et në Drin
Hidrocentralet e Kaskadës së Drinit kanë rifilluar këtë të mërkurë shkarkimet e kontrolluara, njofton Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Sipas saj, situata hidrike paraqitet e qëndrueshme dhe e menaxhuar, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike vazhdon në nivele të larta, pa rrezik për zonat poshtë digave.
Aktualisht, HEC Koman shkarkon 200 metër kub ujë për sekondë, ndërsa HEC Vau i Dejës 300 metër kub për sekondë. Hidrocentrali i Fierzës nuk ka shkarkime momentalisht. Prurjet vijojnë të jenë të larta: 500 m³/s në Fierze, 250 m³/s në Koman dhe 50 m³/s në Vau i Dejës.
Nivelet e liqeneve janë:
Fierzë: 292.4 m (3.3 m larg nivelit maksimal)
Koman: 170.6 m (5 m larg nivelit maksimal)
Vau i Dejës: 73.8 m (3 m larg nivelit maksimal)
Menaxhimi i kontrolluar i shkarkimeve siguron një prodhim ditor prej rreth 27 mijë MWh, ndërsa KESH vijon monitorimin e vazhdueshëm të situatës hidrike për të garantuar menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.
