Abdixhiku pas takimit me të dërguarin e BE-së: Kosova ka nevojë për stabilitet dhe mbështetje evropiane

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Abdixhiku tha se me Sorensen ka biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.

Ai gjithashtu u shpreh se, pret nga BE të vijojë, angazhimi dhe mbështetja për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugën drejt integrimit evropian dhe përforcimit të perspektivës euroatlantike.

“Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka thënë Abdixhiku.