BE rinis dialogun Kosovë–Serbi: Sorensen takon Kurtin dhe Osmanin
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka rifilluar përpjekjet për të nxitur bisedimet mes dy vendeve. Ai zhvilloi takime në Prishtinë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenten, Vjosa Osmani, në një moment delikat politik pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe para formimit të institucioneve të reja.
Sorensen u shpreh se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për dialogun, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti. Ai tha se një takim i drejtpërdrejtë mes palëve do të thirret nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, në momentin e duhur.
“Qëllimi është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Koha dhe rrethanat do të përcaktojnë momentin e duhur për këtë takim,” deklaroi Sorensen. Ai shtoi se stabiliteti politik në Kosovë, përmes formimit të institucioneve të reja, është kusht i rëndësishëm për përparim në dialog.
Në vijim të vizitës së tij, Sorensen do të udhëtojë drejt Beogradit, ku pritet të takohet me udhëheqjen serbe. Bashkimi Evropian shpreson që ky tur diplomatik të hapë një kapitull të ri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
