“FSHIKULLOHET” PRESIDENTI SERB/ Raportuesi i PE: Beogradi po shmang verifikimin si vend kandidat
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi nga Emiratet e Bashkuara Arabe se nuk do të priste një delegacion të Parlamentit Evropian në Beograd, duke pretenduar se përfaqësuesit e PE po vinin “të paftuar”.
Kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, i cili në një intervistë për mediat serbe i quajti pretendimet e Vuçiçit të pabaza. Sipas tij, ambasada e Serbisë në Bruksel ishte e informuar për vizitën.
Tonino Picula:
“Është praktikë e zakonshme e Parlamentit Evropian dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë vizitë. Qëllimi ynë është të zhvillojmë biseda të drejtpërdrejta me ata që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të qytetarëve të Serbisë, për të krijuar një pasqyrë sa më të plotë mbi zhvillimet e vitit të fundit.”
Picula akuzoi autoritetet serbe se po shmangin përballjen me institucionet evropiane në një moment kyç për procesin e integrimit.
“Ky bojkot lidhet me shmangien e përballjes me ata që janë vendimtarë për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.”
Sipas raportuesit të PE, Serbia, si çdo vend kandidat, duhet t’i nënshtrohet verifikimit nga Parlamenti Evropian, çka e bënte këtë vizitë veçanërisht të rëndësishme.
“Kjo është një mundësi e humbur për njerëzit më përgjegjës në Serbi, në një fazë kaq të ndjeshme të procesit, për të dëgjuar drejtpërdrejt se çfarë mendojmë ne për një shtet kandidat.”
Picula shtoi se ky nuk është një qëndrim i panjohur për të, pasi edhe më herët është përballur me bojkot nga autoritetet serbe. Përveç Vuçiçit, edhe kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiç, deklaroi se nuk do të priste delegacionin e PE, duke përsëritur arsyetimin se vizita ishte e paftuar.
Nga ana e tij, Vuçiç ka akuzuar vazhdimisht ndërkombëtarët për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, veçanërisht në lidhje me protestat e fundit në vend.
