Gara për president/ Vjosa Osmani në pritje
Gara për president: Osmani në pritje
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në krye të shtetit, por mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk është e sigurt. Nga partia e kryeministrit Albin Kurti është përcjellë mesazhi se “opsionet mbeten të hapura”, duke lënë të paqartë emrin e kandidatit për president.
Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Artan Abrashi, deklaroi se kandidatura e Osmanit do të shqyrtohet nga forumet partiake, por pa një vendim përfundimtar në këtë fazë.
“Natyrisht, çështja e kandidaturës së zonjës Osmani do të trajtohet, por pa u mbledhur forumet tona vendimmarrëse nuk mund të kemi një qëndrim zyrtar,” tha Abrashi.
Në këtë situatë politike, opozita kërkon një alternativë tjetër. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për zgjedhjen e një figure konsensuale, e cila nuk do të perceptohej si përfaqësuese e një pale politike, por si figurë unifikuese për vendin. Kjo kërkesë është cilësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si “absurde”, me arsyetimin se posti i presidentit është në thelb politik.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka paralajmëruar se procesi i zgjedhjes së presidentit mund të jetë i vështirë dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, nëse Kuvendi nuk arrin të sigurojë 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 7 prill, ndërsa Kosova ka afat një muaj për të zgjedhur presidentin e ri.
