Skandali i rezervave shtetërore në Kosovë, ministrja Rozeta Hajdari del para Gjykatës, akuzohet për dëm rreth 3 milionë euro

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në kuadër të seancës fillestare për rastin e rezervave shtetërore për të cilën ajo akuzohet.

Sipas mediave në Kosovë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën më 11 nëntor të vitit 2025. Sipas saj, Hajdari, bashkë me dy zyrtarë të MINT-it, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë vitit 2022, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm financiar prej rreth 3 milionë eurosh.

Prokuroria pretendon se palët e përfshira kanë kontraktuar blerjen e sasive të vajit dhe grurit jashtë Kosovës, por mallrat nuk kanë mbërritur kurrë në vend. Hajdari e ka hedhur poshtë aktakuzën, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar më herët se nuk sheh elemente korrupsioni apo keqpërdorimi në këtë çështje. Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave.