“Do ta marrim Groenlandën!”- Trump i vendosur: SHBA-së i duhet për arsye të sigurisë kombëtare

Me një postim të ri në rrjetin Truth Social, Donald Trump deklaroi se ishulli më i madh në botë, Groenlanda, do të kalojë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se “asgjë më pak nuk është e pranueshme”.

Presidenti amerikan theksoi se “NATO bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara”.

Ai shtoi gjithashtu se, nëse SHBA-të nuk veprojnë, do ta bëjnë Rusia ose Kina dhe kjo nuk do të ndodhë.

“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. Ajo është jetike për ‘Golden Dome’ që po ndërtojmë. NATO duhet të na udhëheqë drejt marrjes së saj. NËSE NUK E BËJMË NE, DO TA BËJNË RUSIA OSE KINA, DHE KJO NUK DO TË NDODHË!

Nga pikëpamja ushtarake, pa fuqinë e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara, të cilën e ndërtova gjatë mandatit tim të parë dhe që tani po e çoj në një nivel edhe më të lartë, NATO nuk do të ishte një forcë efektive apo parandaluese, as afër kësaj!

Ata e dinë këtë, dhe e di edhe unë. NATO bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Grenlandën në duart e SHTETEVE TË BASHKUARA.

Çdo gjë më pak se kaq është e papranueshme. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj këtij çështjeje! President DJT”, ka shkruar Trump.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp të martën pasdite, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, hodhën poshtë kategorikisht çdo pretendim të jashtëm mbi Groenlandën, duke dërguar një mesazh uniteti dhe vendosmërie në një klimë presionesh të shtuara gjeopolitike.

Frederiksen e ngriti qëndrimin e Kopenhagenit në nivel parimi themelor, duke theksuar se çështja shkon përtej Groenlandës apo edhe vetë Mbretërisë së Danimarkës.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Groenlandën apo për Mbretërinë. Bëhet fjalë për faktin se kufijtë nuk duhet të ndryshojnë me forcë, se një popull nuk mund të blihet dhe se vendet e vogla nuk duhet të frikësohen nga të mëdhatë”, deklaroi ajo.

Siç nënvizoi, Danimarka dhe Groenlanda “nuk po mbrojnë vetëm veten e tyre, por rendin ndërkombëtar mbi të cilin brezat e mëparshëm ndërtuan demokracinë tonë”, duke theksuar lidhjen e pandashme mes pjesëve të Mbretërisë Daneze.

Nga ana e tij, Jens-Frederik Nielsen ishte i qartë: “Groenlanda nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara”.

Ai theksoi se qëllimi i qeverisë së tij mbetet “dialogu paqësor, i bazuar në bashkëpunim, me respekt për statusin tonë kushtetues, për të drejtën ndërkombëtare, për të drejtën mbi tokën tonë dhe për vetëvendosjen”.