Krizë humanitare në Ukrainë: Pa ujë, pa drita, në −19°C

Ukraina po përballet me një krizë të rëndë humanitare. Pa energji elektrike, pa ujë dhe me temperatura që zbresin deri në minus 19 gradë, miliona qytetarë po luftojnë jo vetëm me bombat, por edhe me dimrin e ashpër.

Sulmet e fundit ruse kanë goditur rëndë infrastrukturën energjetike në disa rajone të vendit, përfshirë Kievin, Dnipron, Kharkivin, Zaporizhzhian dhe Khersonin. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se objektivi kryesor i Moskës është infrastruktura jetike – energjia, ngrohja, drita dhe uji – me qëllim thyerjen e rezistencës së popullsisë civile. Ai ka bërë thirrje për forcimin e mbrojtjes ajrore për të ndalur sulmet.

Në kryeqytetin Kiev, mijëra banorë janë detyruar të strehohen në trena të posaçëm dhe qendra emergjente ngrohjeje, ndërsa shumë apartamente mbeten pa drita dhe ngrohje për orë e madje ditë të tëra.

Ndërkohë që Ukraina përballet me këtë situatë dramatike, një zhvillim i rëndësishëm diplomatik po merr formë. Sipas mediave amerikane, të dërguarit e presidentit Donald Trump për paqen, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të udhëtojnë së shpejti në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin.

Diskutimet thuhet se do të fokusohen në një plan paqeje të reduktuar nga 28 në 20 pika, në përpjekje për të ringjallur negociatat për një armëpushim.

Por, ndërsa diplomatët përgatiten për bisedime, lufta në terren nuk ndalet. Raketat dhe dronët vazhdojnë të godasin qytetet ukrainase, ndërsa Rusia pretendon se ka rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas në rajonet kufitare.

Në Ukrainë, dimri po shndërrohet në një armë po aq të rrezikshme sa raketat. Dhe ndërsa bisedimet për paqe afrohen, miliona njerëz mbeten në errësirë, në të ftohtë dhe në pritje të një fundi për këtë luftë.