Vdes Claudette Colvin/ Pionierja e të drejtave të njeriut në SHBA
Claudette Colvin, aktivistja amerikane e të drejtave civile, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në Teksas. Ajo u bë e njohur në vitin 1955, kur në moshën 15-vjeçare refuzoi t’ia lëshonte vendin në autobus një të bardhi në Alabama, një akt që më vonë ndihmoi në sfidimin e segregacionit racor në transportin publik.
Ngjarja ndodhi nëntë muaj para arrestimit të Rosa Parks, dhe megjithëse Colvin ishte e para e arrestuar për kundërshtimin e ndarjes racore, historia e saj mbeti e panjohur për dekada. Ajo u rikthye në vëmendje në vitin 2009, kur u botua libri i parë i detajuar mbi përvojën e saj.
Colvin ka thënë se frymëzohej nga heroinat kundër skllavërisë, Harriet Tubman dhe Sojourner Truth, dhe ndjeu se qëndronte në vendin e duhur duke bërë një akt drejtësie. Në vitet e fundit punoi si infermiere në Nju Jork, duke lënë pas një trashëgimi guximi që kontribuoi në ndryshimin e historisë amerikane.
