CARRICK TE UNITED/ Klubi arriti marrëveshjen për drejtimin e përkohshëm

Majkëll Kerrik do të drejtojë deri në fund të sezonit Manchester United, pas shkarkimit të Ruben Amorim. Palët kanë rënë dakord këtë të martë, teksa pritet vetëm nënshkrimi zyrtar.

Manchester United arriti një marrëveshje me ish-mesfushorin Michael Carrick për ta emëruar atë trajner të përkohshëm të skuadrës deri në fund të sezonit.

Sipas Sky Sports News, palët ranë dakord në parim pas negociatave që vazhduan deri vonë të hënën në mbrëmje, ku u zgjidhën të gjitha çështjet e mbetura pezull. Sipas burimeve pranë klubit detajet finale të kontratës po përpunohen nga avokatët dhe pritet vetëm nënshkrimi.

Steve Holland, ish-ndihmës trajner i Gareth Southgate te kombëtarja e Anglisë, u caktua si krahu i djathtë i Carrick.

Stafi teknik do të përfshijë gjithashtu Jonathan Woodgate, Travis Binnion dhe Jonny Evans, i cili është rikthyer në klub gjatë periudhës së përkohshme të Darren Fletcher. Ndërkohë, Fletcher pritet të rikthehet në rolin e trajnerit të ekipit U18.

Michael Carrick mbërriti  mëngjesin e kësaj të marte  në qendrën stërvitore të Carrington për një takim me drejtorin e futbollit, Jason Wilcox.

Të dyja palët janë të interesuara që marrëveshja të finalizohet sa më shpejt, në mënyrë që Carrick të nisë përgatitjet stërvitore që të mërkurën.

Debutimi i tij në stolin e Manchester United, pritet në një sfidë të madhe të derbit ndaj Manchester Cityt ditën e shtunë.